Bota reagon pas vdekjes së ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter

Amerika

Bota reagon pas vdekjes së ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 10:19
Jimmy Carter

Presidenca e Jimmy Carterit u karakterizua nga kriza 444-ditore e pengjeve në Iran, por ai u lartësua si një figurë humanitare më vonë në jetën e tij, duke e fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002.

Carter vdiq në moshën 100-vjeçare më 29 dhjetor.

Më poshtë mund të lexoni reagimet nga e gjithë bota pas vdekjes së tij.

Biden: Bota dhe Amerika e humbën një lider të jashtëzakonshëm

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se bota dhe Amerika e humbën një lider të jashtëzakonshëm, një burrështetas dhe një humanitar.

“Gjatë gjashtë dekadave, ne patëm nderim ta quajmë Jimmy Carterin mik të dashur. Por, ajo që është e jashtëzakonshme për Jimmy Carterin, megjithatë, është se miliona njerëz në Amerikë dhe në botë që nuk e takuan kurrë, gjithashtu e ciëlsuan atë si mik të dashur”, tha Biden.

Trump: Të gjithë i jemi mirënjohës Carterit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se e gjithë Amerika i është mirënjohës Carterit për atë që ai e ka bërë për vendin.

“Sfidat me të cilat u përball Jimmy si president ndodhën në një kohë vendimtare për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka në dorën e tij për ta përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve”, tha ai.

Obama: Carter besoi në integritet dhe respekt

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e nderoi Jimmy Carterin si një figurë të integritetit të lartë që avokoi për të mirën e publikut.

“I zgjedhur nën hijen e [skandalit] Watergate, Jimmy Carter u premtoi votuesve se ai do ta thoshte të vërtetën gjithmonë. Dhe, ai e bëri këtë, duke avokuar për të mirën e publikut, pavarësisht pasojave. Ai besoi se disa gjëra ishin më të rëndësishme si rizgjedhja – gjëra si integriteti, respekti dhe dhembshuria”, tha Obama”, tha Obama.

George W. Bush: Trashëgimia e Carterit do t’i frymëzojë amerikanët

Ish-presidenti amerikan, George W. Bush, tha se trashëgimia e Jimmy Carterit do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm të amerikanëve.

“Ai ëstë shembull se si duhet të shërbesh dhe do t’i frymëzojë brezat e ardhshme amerikane”, tha Bush.

“Ai ishte besnik ndaj familjes, bashkësisë dhe vendit. Presidenti Carter e madhështoi zyrën e presidentit”, shtoi ai.

Clinton: Carter luftoi për një botë më të mirë

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, e lartësoi ish-presidentin Jimmy Carter si një njeri që luftoi për një botë më të mirë.

“Nga angazhimi i tij për të drejtat civile si senator i shtetit dhe guvernator i Xhorxhias; tek përpjekjet e tij si president për t’i mbrojtur burimet tona natyrore në Rezervatin Kombëtar të Kafshëve të Egra të Arktikut, për ta bërë kursimin e energjisë prioritet kombëtar, për ta rikthyer Kanalin e Panamasë tek Panamaja dhe për të siguruar paqen midis Egjiptit dhe Izraelit në Camp David; tek përpjekjet e tij në Qendrën Carter për të mbështetur zgjedhje të ndershme, për ta cuar përpara paqen, për t’i luftuar sëmundjet dhe për ta promovuar demokracinë; e deri tek përkushtimi dhe puna e tij e palodhshme bashkë me Rosalynn në Habitat for Humanity—ai punoi pareshtur për një botë më të mirë dhe më të drejtë”, tha Clinton.

Macron: Carter luftoi pareshtur për paqe

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përshkroi ish-presidentin amerikan, Jimmy Carter, si një figurë që luftoi pareshtur për sjelljen e paqes në botë.

“Gjatë jetës së tij, Jimmy Carter ka qenë avokues i palëkundur për të drejtat njerëzve më të cenuar dhe ka punuar pareshtur për paqe”, tha Macron.

“Franca është pranë familjes së tij dhe të gjithë popullit amerikan”, shtoi ai.

Starmer: Carter ia kushtoi jetën paqes

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se dëshiron ta nderojë ish-presidentin amerikan, Jimmy Carter, për shërbimin e tij vetëmohues dhe dekadësh në shërbim të publikut.

“Presidenca e tij do të mbahet në mend për marrëveshjet e Camp David mes Izraelit dhe Egjiptit, prandaj përkushtimi i tij jetësor për paqen ia dhuroi atij Çmimin Nobel për Paqe”, tha Starmer.

“I nxitur nga vlerat dhe besimi i tij i fuqishëm, presidenti Carter e ridefinoi jetën pas presidencës me përkushtimin e tij të shquar ndaj drejtësisë shoqërore dhe të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit”, shtoi ai.

HRW: Carter ishte shembull për liderët botërorë

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) tha se Jimmy Carter është shembull i shkëlqyer për liderët botërorë që ata t’i bëjnë prioritet të drejtat e njeriut.

“Ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e njeriut edhe pasi u largua nga detyra e presidentit”, tha HRË.

Tedros: Përkushtimi i tij do të mbahet mend përgjithmonë

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ish-presidenti amerikan Jimmy Carter do të mbahet mend “përgjithmonë” për përkushtimin e tij të palëkundur për mirëqenien e njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

Puna e tij përmes Carter Center ka shpëtuar shumë jetë dhe ka ndihmuar që shumë sëmundje tropikale të lëna pas dore të sillen buzë eliminimit”, tha ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat