Amerikanët kujtojnë ish-Presidentin Jimmy Carter

Amerika

Amerikanët kujtojnë ish-Presidentin Jimmy Carter

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 16:18
Një banore në Plains të Xhorxhas, pikturon një mural në kujtim të Presidentit Jimmy Carter në dritaren e një dyqani, më 30 dhjetor, 2024

Me rastin e vdekjes së Presidentit të 39 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter, shumë amerikanë po shprehin përshtypjet e tyre për ish-udhëheqësin, që vdiq në moshën 100 vjeçare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns sjell disa nga përkujtimet e tyre.

Pranë Shtëpisë së Bardhë, ku flamujt janë vendosur në gjysmë-shtizë, Cheryl Jones nga Kalifornia thotë se Jimmy Carter ishte presidenti i saj më i preferuar.

“Ishte njeri i mirë. Njeri i ndershëm. Njeri i sinqertë. Gjëra që nuk i shohim më shpesh”, thotë ajo.

Kit Burns nga qyteti Tacoma i shtetit të Uashingtonit, e kujton angazhimin e Presidentit Carter për të ndërtuar shtëpi për njerëzit në nevojë.

“Aty pranë vendit ku jetoj, janë një numër shtëpish të ndërtuara nga organizata ‘Habitat for Humanity’. Ai ishte i përkushtuar për t’i ndihmuar të tjerët dhe mendoj se ky edhe është qëllimi kryesor në jetë i të gjithëve. Një botë ku nuk ndihmohen të tjerët është e tmerrshme. Ai dha shembull për kaq shumë vite”, thotë ai.

Presidenti Carter tregoi rëndësinë e përkujdesjes ndaj të tjerëve, thotë Natosha Walker nga Virxhinia.

“Në shërbimin publik duhet t’iu shërbesh njerëzve. Kjo është vlera më e rëndësishme, ashtu si edhe të jesh shembull për të tjerët. Ai krijoi një grup për studimin e Biblës, themeloi organizatën ‘Habitat for Humanity’. Këta janë shembuj të mirë se si duhet të udhëheqim dhe se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Bursa e Nju Jorkut të hënën mbajti një minutë heshtje për të nderuar ish presidentin para se t’i binte ziles.

Banorja e Nju Xhersit, Delores Spivack spikat punën e zotit Carter me izraelitët dhe palestinezët.

“Kam shumë respekt për të, kam shumë respekt për mandatin e tij presidencial ngaqë ai u angazhua për ambientin, për të drejtat civile. Por më pas, librat që ai i shkroi, sidomos ato për Lindjen e Mesme, ishin të jashtëzakonshme. Rrëqethem kur flas, kur mendoj për marrëveshjen e arritur në Camp David”, thotë ajo.

Ndarja nga jeta e Presidentit Carter ishte mundësi për të mësuar më shumë për jetën dhe presidencën e tij, thotë Kim Potvin nga Konektikat.

“Nuk isha në dijeni të shumë politikave për të cilat ai ishte angazhuar, siç nuk dija shumë as për ekonominë dhe historinë e asaj periudhe. Mësojmë shumë nga historia meqë ajo ndikon edhe në të sotmen”, thotë ajo.

Në vendlindjen e zotit Carter, në Plains të Xhorxhas, Sandra Walters kujton mikun, i cili u rrit në lagjen e saj.

“E falënderoj Zotin që i dha 100 vjet jetë dhe mundësinë për t’i realizuar të gjitha ato që deshi. Ai arriti aq shumë. Nga një qytezë e vogël në Plains të Xhorxhas, i rritur në një plantacion kikirikësh, u bë president i Shteteve të Bashkuara”, thotë ajo.

Presidenti Carter do të varroset në Plains, pas një ceremonie shtetërore që do të mbahet në Uashington më 9 janar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat