FBI: Autori i sulmit terrorist në Nju Orlins veproi i vetëm
FBI-ja thotë se besojnë se autori i sulmit terrorist të Nju Orlinsit që shkaktoi vdekjen e 15 vetëve në ditën e Vitit të Ri, ka vepruar i vetëm.
Autoritetet e deklaruan një gjë të tillë në një konferencë për shtyp duke shtuar se nuk ka më rrezik për banorët e Nju Orlinsit. Më herë auroritetet po hetonin nëse autori, Shamsud-Din Jabbar, një shtetas amerikan nga Teksasi dhe ish-rezervist i ushtrisë që kishte shërbyer në Afganistan, kishte pasur bashkëpunëtorë në sulmin, që autoritetet thanë se ishte i paramenduar.
42 vjeçari dukej se ishte frymëzuar nga ISIS-i dhe FBI-ja konfirmoi se ai kishte një flamur të grupit ISIS-it në kamionin që përdori për të goditur turmën. Ai vdiq nga një këmbim zjarri me policinë.
Të mërkurën në mbrëmje Presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se i dyshuari kishte bërë disa veprime vetëm disa orë para sulmit që linin të kuptonin ideologjinë e tij. Presidenti Biden tha se organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i zbulimit po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje apo bashkëpunëtor tjetër dhe se hetimi vazhdon të jetë aktiv.
“Ai postoi video në mediat sociale duke treguar se ishte frymëzuar nga ISIS-i, duke shprehur dëshirën për të vrarë. Flamuri i ISIS-it u gjet në automjetin e tij, të cilin e kishte marrë me qira për të kryer këtë sulm. Në automjet janë gjetur edhe eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur eksplozivë të tjerë”, tha ai.
Hetuesit kishte gjetur armë dhe një mjet shpërthyes të improvizuar brenda automjetit. Po ashtu, në lagjen e njohur ku ndodhi shpërthimi, autoritetet kanë gjetur pajisje të tjera shpërthyese në një shtëpi në të cilën kishte rënë zjarr.
Për 18 vjeçarin Zion Parsons, ishte hera e parë në Nju Orlins. Ai tha se skena dukej si zonë lufte.
“Kishte trupa në gjithë rrugën. Të gjithë bërtisnin. Shihje dikë që po përpiqej të shpëtonte dikë tjetër, shikoje njerëz që qanin, pjesë trupash gjithandej. Ishte e dhimbshme të shihja një nga shoqet e mia të ngushta që u godit”, tha ai.
Zona turistike e Nju Orlinsit vazhdon të jetë nën masa të rrepta sigurie.
Sulmi në Nju Orlins është shembulli i fundit kur një automjet përdoret si armë për të kryer vrasje masive dhe sulmi më vdekjeprurës i frymëzuar nga ISIS në territorin e Shteteve të Bashkuara prej vitesh.
Clara Broekart, një eksperte për grupet terroriste i tha Zërit të Amerikës se në vitin 2024 kishte pasur një rritje të ndjeshme në përpjekjet e frymëzuara nga ISIS globalisht, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.
“Ndonjëherë autori i mundshëm thjesht ishte frymëzuar nga ISIS-i, konsumonte propagandë nga Shteti Islamik dhe synonte të kryente një sulm në mbështetje të Shtetit Islamik. Por kemi parë edhe përpjekje kur persona me bazë në SHBA ishin në kontakt me rekrutuesit e ISIS-it në internet”, thotë ajo.
FBI-ja thotë gjithashtu se nuk kishte lidhje mes sulmit në Nju Orlins dhe një shpërthimi në Las Vegas para hotelit Trump, ku personi brenda makinës gjeti vdekjen./VOA