SHBA, ish-drejtuesi i ‘Terraform Lab’ deklaron pafajësinë lidhur me akuzat për mashtrim investitorësh

Amerika

SHBA, ish-drejtuesi i ‘Terraform Lab’ deklaron pafajësinë lidhur me akuzat për mashtrim investitorësh

Më: 2 janar 2025 Në ora: 21:42
Do Kwon

Do Kwon, sipërmarrësi koreano-jugor i kriptomonedhave i cili ishte përfshirë në krijimin e dy monedhave dixhitale që humbën vlerën me rreth 40 miliardë dollarë në vitin 2022, të enjten deklaroi se është i pafajshëm për akuzat për mashtrim në Shtetet e Bashkuara. Ai u ekstradua nga Mali i Zi këtë javë.

Prokurorët federalë në Manhatan e akuzuan zotin Kwon, i cili bashkëthemeloi platformën “Terraform Labs” me seli në Singapor dhe krijoi monedhat dixhitale “TerraUSD” dhe “Luna”, në mars të vitit 2023 me dy akuza për mashtrim me letrat me vlerë dhe mashtrim me të dhënat financiare dixhitale.

Në aktakuzën e re prej 79 faqesh, të ngritur të enjten, u shtua edhe akuza e komplotit për pastrim parash.

Kwon, 33 vjeç, u paraqit përpara gjykatësit amerikan Robert Lehrburger në gjykatën federale të Manhatanit.

Ai kishte rënë dakord qershorin e kaluar të paguante një gjobë civile prej 80 milionë dollarësh dhe të ndalonte veprimtarinë në tregun e kriptomonedhave, në kuadër të një marrëveshjeje prej 4.55 miliardë dollarësh që ai dhe Terraform arritën me Komisionin amerikan të Letrave me Vlerë.

Në aktakuzën e së enjtes, zyra e Prokurorit të Manhatanit thotë se Kwon mashtroi investitorët në vitin 2021 në lidhje me kriptomonedhën “TerraUSD”, e cila ishte krijuar të mbante vlerën prej 1 dollarësh.

Kwon dyshohet se u tha investitorëve se një algoritëm kompjuterik i njohur si "Terra Protocol" e kishte rikthyer vlerën e monedhës kur ajo shënoi rënie drastike në maj të vitit 2021, kur në fakt ai angazhoi një firmë të blinte fshehurazi miliona dollarë të kësaj kriptomonedheje për mbështetur artificialisht çmimin e saj.

Prokurorët thanë se pretendimi i rremë dhe pretendimet e tjera i shtynë investitorët e vegjël dhe institucionalë të blinin produkte dixhitale të ofruara nga “Terraform” dhe të rrisnin vlerën e “Lunas”, një kriptomenedhë më tradicionale e krijuar nga Kwon që luhatej në vlerë, por ishte e lidhur ngushtë me “TerraUSD”, në 50 miliardë dollarë deri në pranverën e vitit 2022.

Kur vlera e “TerraUSD” filloi të bjerë përsëri në maj 2022, firma që e mbështeste atë paralajmëroi se mbështetja e saj "nuk ishte aq e thjeshtë këtë radhë", sipas aktakuzës. Autoritetet nuk kanë zbuluar emrin e kësaj firme që mbështeste kriptomonedhën “TerraUSD”.

“TerraUSD” dhe “Luna” pësuan një rënie drastike atë muaj, duke tërhequr me vete edhe vlerën e kriptomonedhave të tjera, përfshirë bitcoin-in, dhe shkaktoi një rënie të madhe më të gjerë në tregun e kriptomonedhave.

Kwon është një nga disa manjatët e kriptomonedhave që përballet me akuza federale pas rënies së çmimeve të monedhave dixhitale në vitin 2022, që shkaktoi falimentimin e një numri kompanish.

Sam Bankman-Fried, i cili themeloi platformën e këmbimit të kriptomonedhave, “FTX”, po apelon dënimin me 25 vjet burg të marsit të kaluar për vjedhje të 8 miliardë dollarëve nga klientët e tij.

Alex Mashinsky, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i platformës së kriptomonedhave “Celsius Network”, muajin e kaluar pranoi fajësinë për dy akuza për mashtrim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat