SHBA, dyqanet që po veprojnë për të mbrojtur mjedisin nga plastika

Amerika

SHBA, dyqanet që po veprojnë për të mbrojtur mjedisin nga plastika

Më: 4 janar 2025 Në ora: 21:57
Foto ilustrim

OKB vlerëson se bota prodhon mbi 430 milionë tonë mbetje plastike çdo vit në shkallë globale. Burimi më i madh i tyre janë produktet për një përdorim. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Valdya Baraputri, njofton për një lëvizje për të minimizuar ndotjen e mjedisit.

Dyqani “Trace” në qytetin Viena të Virxhinias ka gjithçka që i nevojitet një blerësi, përveç qeseve, kutive të kartonit apo shisheve. Nëse dëshironi të blini diçka, qoftë edhe lëngje si vaj gatimi apo shampo, duhet të vini të përgatitur.

Blerësit duhet të sjellin me vete çantat e blerjes apo shishet e tyre. I peshojnë dhe më pas mund të marrin atë që kërkojnë.

“Më lindi ideja për të hapur dyqanin në vitin 2018. U lodha duke parë kaq shumë mbeturina dhe qese plastike në koshin e plehrave. E ndieja se gjithnjë e më pak do të riciklohen këto mbeturina”, tregon pronarja e dyqanit.

Dyqani u hap në vitin 2021. Ajo thotë, se sipas të dhënave të “Greenpeace”, vetëm gjashtë për qind e mbetjeve plastike në SHBA riciklohen dhe ajo shpreson se dyqanet si “Trace” mund të bëjnë një ndryshim.

“Në tre vitet që kemi qenë të hapur, kemi rimbushur 21 mijë shishe plastike. Këtu nuk llogariten as qeset plastike, apo ato prej kartoni”, tregon Mala.

Konsumatorët thonë se të blesh në një dyqan si “Trace” nuk është aq e lehtë sa një dyqan me shërbime të plota, por iu krijon atyre një ndienjë të veçantë.

“Ndihesh mirë sepse po e ndot pak mjedisin. Stafi është shumë miqësor dhe të ndihmon. Edhe ata janë shumë të interesuar të mbrojnë mjedisin. Kështu që po, ndihem mirë”.

Në qytetin Takoma Park në Merilend, një tjetër dyqan i quajtur “Fullfillery” madje ofron produktet e tyre të bëra vetë. Një nga produktet është një ilaç (tabletë) pastrimi, prodhuar nga vaji i ricikluar i gatimit.

Pra, e hap këtë. Pasi ta hapësh shton ujë dhe bëhet një pastrues vërtet i shkëlqyeshëm. Pastron granitin, pastron drurin”, tregon Rini Saha, Bashkëpronare e dyqanit “Fullfillery”.

Saha e hapi dyqanin katër vjet më parë. Ajo thotë se ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve, sado i vogël qoftë, është çelësi për reduktimin e mbetjeve.

“Ne thjesht shpresojmë që njerëzit të përpiqen të ndalojnë ndotjen e mjedisit aty ku munden”, tregon Rini Saha, Bashkëpronare e dyqanit “Fullfillery”.

Ka rreth 1300 dyqane në SHBA që kanë përqafuar konceptin “zero mbetje” dhe ky numër është në rritje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat