Një vizitë surprizë e kryeministres italiane Giorgia Meloni tek presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump ka zgjatur disa orë.
Meloni qëndroi në Mar-a-Lago rreth katër orë.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Meloni shihet në sallën e hyrjes së rezidencës së manjatit së bashku me presidentin e zgjedhur, sekretarin e ardhshëm të Shtetit, Marco Rubio dhe sekretarin e ardhshëm të Thesarit, Scott Bessent.
Ajo shoqërohej nga ambasadorja në SHBA, Mariangela Zappia.
Bashkë me ta edhe këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare, Mike Waltz dhe ambasadori i ardhshëm i SHBA në Itali, Tilman Fertitta.
”Është shumë emocionuese, unë jam këtu me një grua të mrekullueshme, kryeministren e Italisë”, citohet të ketë thënë Trump.
Sekretari i ardhshëm i Shtetit, Marco Rubio, e përcaktoi Melonin si një “aleate të madhe, një udhëheqëse të fortë”.
Gjatë takimit, sipas shtypit, Donald Trump – së bashku me Giorgia Meloni, Marco Rubio dhe të tjerë – ndoqën premierën e një dokumentari të fokusuar në apelimet në zgjedhjet e 2020, kur ai denoncoi mashtrimin masiv.
Kjo është premiera e dokumentarit “The Eastman Dilema: Lawfare or Justice”, në të cilin eksperti i së drejtës kushtetuese John Eastman argumenton se vitet e fundit Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar ngritjen e një “sistemi drejtësie me dy masa”, ku sistemi ligjor ka shënjestruar padrejtësisht avokatët që përfaqësojnë klientët konservatorë.
Eastman thotë se avokatët që mbrojtën presidentin Donald Trump dhe figura të tjera konservatore pas zgjedhjeve të 2020 u përballën me sanksione të ashpra, sanksione që ai beson se nuk do të zbatoheshin nëse të majtët do të bënin pretendime të ngjashme.