Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme për udhëtimin në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e "reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade" në disa zona.
Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina. Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri.
Paralajmërimi u shtri edhe në New Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.
"Për vendet në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë", tha shërbimi i motit të dielën herët.
Rreth 63 milionë amerikanë banojnë në zonat që mund të preken të dielën, sipas specialistit Bob Oravec, me Shërbimin Kombëtar të Motit.
Një banor duke shëtitur qenin në St. Louis (5 janar 2025)
Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.
Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaku për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.
Stuhia pritet të përfshijë edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij.
Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi nga 20 deri në 30 centimetra dëborë për zonën e Anapolisit, Maryland, me temperatura të mbetura nën zero gjatë gjithë fundjavës.
Autostradat kanë filluar të mbulohen nga dëbora në Topeka, Kansas (5 janar 2025)
Në një deklaratë në rrjetin X, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten në mbrëmje përpara stuhisë dhe i inkurajoi banorët të votojnë përpara zgjedhjeve speciale që mbahen për këtë shtet të martën.
Deklarata të ngjashme për gjendjen e emergjencës u bënë në Kansas, Kentaki, Mariland dhe në qytetet qendrore të Illinoisit.
"Është vërtet serioze", tha meteorologu John Gordon në një konferencë shtypi në Louisville, Kentucky.