Amerikanët shpresojnë për një moment të rrallë të bashkimit politik gjatë kësaj jave kur pritet që pesë presidentët e gjallë të SHBA-së, duke përfshirë edhe Donald Trump, të bëhen bashkë për të mbajtur zi për vdekjen e Jimmy Carter, i cili u shua të dielën e kaluar në moshën 100-vjeçare.
Pritet që Joe Biden të mbajë homazhet të enjten në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Vitin e kaluar ai tregoi se Carter i kishte kërkuar që t’i mbante një eulogji. Biden mund të jetë i detyruar të bëjë disa paralele jo fort të rehatshme edhe me fatin e tij politik.
Mandati i Carter zgjati vetëm një vit si pasojë e inflacionit dhe dështimit për të liruar pengjet në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye u largua nga pushteti. Sidoqoftë u “pagëzua” si një prej ish-presidentëve më të mëdhenj të kombit për shkak të punës së tij humanitare.
Megjithatë kamerat pritet të fokusohen mbi Donald Trump, i cili pas 11 ditësh do të betohet sërish si president. Edhe pse 78-vjeçari njihet për shkeljen e normave dhe shpesh për kritikat ndaj paraardhësve, për Carter ai shprehu vlerësim dhe pranoi ftesën për të qenë i pranishëm në ceremoninë mortore.
Në funeralin e George Bush në vitin 2018, Trump shtrëngoi duart me Obamën, por në asnjë moment nuk ndërveproi me Hillary Clinton, të cilën e mundi në zgjedhjet e 2016-ës, apo me bashkëshortin e saj, Bill Clinton. Në meshën që do të mbahet në Katedrale, do të jenë të pranishëm demokratë dhe republikanë.