Presidenti Joe Biden viziton sot Nju Orlinsin, ku në ditën e Vitit të Ri u vranë 14 persona si pasojë e një sulmi terrorist. FBI-ja po kryen hetimet për incidentin dhe thotë se autori i sulmuest ishte frymëzuar nga Shteti Islamik.
Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden sot shkojnë në Nju Orlins për t’i shprehur ngushëllime dhe për të mbështetur familjet e viktimave të sulmit vdekjeprurës të Vitit të Ri.
Kjo është një detyrë e vështirë për presidentët, por 82 vjeçari Biden i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij roli pasi ai vetë është përballur me tragjedi personale. Bashkëshortja e tij e parë dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë në vitin 1970 dhe djali i tij i madh, Bau vdiq nga kanceri në vitin 2015.
“E kam përjetuar këtë dhimbje. Nuk ka fjalë se si mund të ngushëllosh dikë për një humbje të tillë tragjike. Mesazhi im do të jetë personal, nëse do t’i takoja ata personalisht”, tha Presidenti Biden për gazetarët.
Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentet kur veterani 42-vjeçar i ushtrisë amerikane Shamsud-Din Jabbar shtypi me kamion turmat e njerëzve në fillim të ditës së Vitit të Ri në Nju Orlins.
Një flamur i zi i Shtetit Islamik u gjet në kamionin e tij, duke nxitur FBI-në ta hetojë incidentin si një akt terrorist.
Presidenti amerikan Joe Biden thotë se agjencitë federale të zbatimit të ligjit po hetojnë të gjitha lidhjet e mundshme të sulmuesit.
“Forcat federale të zbatimit të ligjit dhe agjencitë e zbulimit po hetojnë në mënyrë aktive çdo kontakt të huaj apo vendas të sulmuesit, që mund të jetë i rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave të sulmit. Ne do të vazhdojmë pa pushim luftën kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste kudo që ato janë. Ato nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt këtu”, tha Presidenti Biden.
Katërmbëdhjetë persona u vranë në sulmin e Vitit të Ri në Nju Orlins dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Autori i sulmit, veterani i ushtrisë Shamsud-Din Jabbar, vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.
FBI-ja thotë se Shamsud-Din Jabbar kishte fshehur pajisje shpërthyese të improvizuara në disa rrugë, përfshirë një kryqëzim, ku zakonisht ka shumë lëvizje të njerëzve.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se ky është një rast tjetër i ekstremizmit të dhunshëm në vend.
“Po përballemi me lloje të vështira kërcënimesh dhe kjo është arsyeja pse ne si komunitet, jo vetëm qeveria federale, por zyrtarët dhe banorët shtetërorë dhe lokalë, duhet të jemi vigjilentë ndaj tyre dhe të marrim masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës”, tha Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.
Më vonë, në ditën e Vitit të Ri, dhe më shumë se dy mijë kilometra larg në Nevada, anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, Matthew Livelsberger, hodhi në erë një kamion të kompanisë Tesla, që e kishte me qera, pranë hotelit “Trump International” në Las Vegas.
Mjeku ligjor i Qarkut Clark konfirmoi se Livelsberger, një ushtar i dekoruar, për të cilin zyrtarët thonë se vuante nga stresi post-traumatik, vrau veten, pak para se kamioni të shpërthente. Zyrtarët thonë se askush tjetër nuk u lëndua rëndë.
Forcat e zbatimit të ligjit thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis sulmeve./VOA