NYPD: Krimi në qytet në dy muajt e fundvitit arrin shkallën më të lartë pas disa incidenteve të frikshme në metron e New York Cityt
Dyqind policë të tjerë do t'i shtohen sistemit të metrosë së NYC pas një sërë incidentesh shqetësuese dhe të profilit të lartë, sipas Komisioneres së Policisë së NYPD, Jessica Tisch.
Masa, e cila do të nisë menjëherë, javën që vjen do të përfshijë “patrulla të trenave” në platformat në 50 stacionet që konsiderohen më të rrezikshmet, ku ka shkallën më të lartë të krimit në dy muajt e fundit të vitit 2024.
"Kjo shtytje e re, për të shtuar forcat e policisë me patrullimin nëpër metro dhe menjëherë, është e gjitha për shkak të akteve të tmerrshme të dhunës së rastësishme që kanë ndodhur kohët e fundit," tha Tisch gjatë një konference për shtyp.
“Është e gjitha pjesë e një strategjie për të rifokusuar përpjekjet tona në metronë e NYC, stacionet më të rrezikshme, ku po ndodh krimi,” shtoi ajo.
Ndërsa, ajo shtoi: "Ne e dimë se 78% e krimit në qytetin e Nju Jorkut po ndodh nëpër trena dhe platformat e stacioneve të metrosë. Dhe kjo është mjaft e qartë se ku duhet të jenë oficerët tanë," tha Komisioneria e Policisë së NYPD, Jessica Tisch.
Megjithatë, ajo specifikisht nuk e tha se cilat ishin 50 stacionet e metrosë së NYC, më të rrezikshmet, ku do të vendosen patrullat e policisë menjëherë.
Sipas raportit më të fundit të krimit të NYPD-së, viti 2024 ka parë një rënie prej 5.4% të krimit brenda sistemit të metrosë, që është më shumë se dyfishi i reduktimit të krimit në vitin 2023.
Dhe kjo përfshihet në uljen e përgjithshme të krimit prej 3% ose rreth 3,662 incidente më pak në të gjithë territorin e bashkisë së NYC.
Megjithatë, vrasja e tmerrshme e një gruaje 57-vjeçare në një tren në Brooklyn (djegja për së gjalli) dhe një numër incidentesh të tjera (grabitje me dhunë, dhunë verbale, ngacmime seksuale dhe deri në shtytje nga platforma) kanë shkaktuar frikë te shumë njujorkezë, duke bërë që NYPD të shtojë më shumë policë për të rritur sigurinë në Subway.
“Është e qartë, perceptimi gjithmonë mbizotëron realitetin, dhe kur shikoni disa nga incidentet e tmerrshme për të cilat foli komisioneria në këto ditët e fundit, njujorkezi do të besonte se ata po jetojnë në një qytet që është jashtë kontrollit. Ky nuk është realiteti," tha kryetari i bashkisë Eric Adams në konferencë. "Ne e dimë se po bëjmë një punë të mirë në luftën kundër krimit, siç do ta tregojnë numrat, por ne duhet të merremi me perceptimin që ndjejnë më shumë njujorkezët."
Për më tepër, kryebashkiaku Adams tha se shteti do të fokusohet në adresimin e çështjeve të rënda të shëndetit mendor kur bëhet fjalë për sigurinë e metrosë.
“Ne e dimë se duhet ta trajtojmë atë perceptim, dhe ai fillon me trajtimin e çështjes reale – shëndetin mendor,” tha ai, duke u përgjigjur në një pyetje nga gazetari i ABC News.
Në fillim të këtij muaji, guvernatorja Kathy Hochul njoftoi një plan për të trajtuar kujdesin e shëndetit mendor dhe strehimin mbështetës për ata që flenë në rrugë.
Guvernatorja Hochul tha se "Ne kemi për detyrë të mbrojmë publikun nga aktet e rastësishme të dhunës dhe e vetmja gjë e drejtë dhe e dhembshur që duhet të bëjmë është t'u japim bashkëqytetarëve tanë njujorkez ndihmën që u nevojitet."
Transporti i udhëtarëve në NYC, MTA thotë se janë agjencia më e madhe e transportit publik në Amerikën e Veriut dhe një nga më të mëdhatë në botë. Metroja (Subway) ka një frekuentim ditor prej rreth 3.6 milion udhëtarësh, dhe autobusët kanë një frekuencë ditore prej 1.4 milion udhëtarësh.