Asnjë sistem ujor nuk do kish mundur të kontrollonte katastrofën e Kalifornisë

Amerika

Asnjë sistem ujor nuk do kish mundur të kontrollonte katastrofën e Kalifornisë

Më: 11 janar 2025 Në ora: 14:45
Foto ilustrim

Zjarret shkatërruese që goditën Kaliforninë Jugore së fundmi ngrenën pyetjen nëse kjo katastrofë mund të ishte minimizuar apo nëse këto ngjarje janë tashmë normale në epokën e ndryshimeve klimatike. Një analizë nga CNN, e bazuar në raporte qeveritare dhe intervista me ekspertë, sugjeron se përgjigjja është një përzierje e të dyjave.

Kombinimi i kushteve ekstreme

Zyrtarët lokalë i përshkruan zjarret si një “stuhi perfekte”, ku erërra me shpejtësi deri në 100 milje në orë penguan përdorimin e avionëve dhe helikopterëve për shuarjen e flakëve. Këto kushte ekstreme, të kombinuara me thatësira dhe zjarre të shumta që shpërthyen në të njëjtën zonë gjeografike, e bënë shkatërrimin e pashmangshëm.

Megjithatë, disa faktorë njerëzorë si menaxhimi i dobët i vegjetacionit, infrastruktura e vjetëruar dhe mungesa e planifikimit kontribuan në zjarret që shkatërruan mbi 90 km katrorë, mijëra struktura dhe lanë të paktën 10 të vdekur.

Uji

Gjatë emergjencës, zjarrfikësit raportuan rënie të presionit të ujit në hidrantë. Edhe pse kjo nuk ishte arsyeja kryesore e shkatërrimit, hidrantët funksionalë mund të kishin ndihmuar në parandalimin e dëmeve të vogla. Në zonën e Palisades, presioni u ul për shkak të kërkesës së paprecedentë për ujë që zgjati 15 orë rradhazi. Tri rezervuarë, secili me një milion galona ujë, u zbrazën periodikisht, duke ulur presionin. Këtë situatë e përkeqësoi fakti që një rezervuar pranë zonës ishte bosh për shkak të riparimeve.

Në Altadena, një komunitet në kodra, problemi buronte nga mungesa e energjisë elektrike. Kur rezervuarët u zbrazën, nuk kishte energji për të pompuar ujë që të rifurnizonte sistemin, pasi kompania elektrike kishte prerë energjinë për të mbrojtur zjarrfikësit nga rreziku i linjave elektrike që mund të binin.

Buxheti i kufizuar

Shefja e zjarrfikësve të qytetit të Los Anxhelesit, Kristin Crowley, ka paralajmëruar se reduktimet e buxhetit kanë kufizuar seriozisht kapacitetin për përgatitje dhe reagim ndaj emergjencave. Vetëm muajin e kaluar, ajo shkroi se shkurtime prej 7 milion dollarësh për orët shtesë dhe eliminimi i disa pozicioneve mbështetëse kishin ndikuar në aftësinë e departamentit për inspektime të vegjetacionit, që janë thelbësore për reduktimin e rrezikut të zjarrit në zonat me rrezik të lartë.

Përveç këtyre, Kalifornia po përjeton një rënie të fuqisë punëtore në burgje, që tradicionalisht ka ndihmuar zjarrfikësit në luftimin e zjarreve. Reformat në sistemin e burgjeve kanë reduktuar ndjeshëm numrin e këtyre punonjësve, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e situatave emergjente.

Ndërtesat dhe kodet e sigurisë

Vetëm një pjesë e vogël e banesave në zonat e prekura nga zjarret ishin ndërtuar sipas standardeve të reja që hynë në fuqi pas vitit 2008. Këto standarde përshijnë materiale rezistente ndaj zjarrit dhe projekte që ndihmojnë në zvogëlimin e dëmeve. Sipas një studimi, një banesë e ndërtuar pas vitit 2008 ka 40% më pak gjasa të shkatërrohet nga zjarri krahasuar me një të ndërtuar në vitin 1990.

Por shumica e banesave të prekura nga zjarret këtë javë ishin ndërtuar para futjes së këtyre standardeve. Për shembull, vetëm 5% e strukturave në zonën rreth zjarrit të Palisades ishin ndërtuar pas vitit 2010.

E ardhmja

Ekspertët theksojnë se rindërtimi pas zjarreve duhet të përfshijë masa për të minimizuar rreziqet në të ardhmen. Ndryshimet në projektimin e lagjeve dhe politikat që detyrojnë banorët të pastrojnë vegjetacionin mund të ndihmojnë. Gjithashtu, mund të inkurajohet riparimi i ndërtesave të vjetra për të përmbushur standardet e reja.

Disa kompani energjetike janë duke vendosur nën tokë linjat e energjisë në zonat me rrezik të lartë, por kjo është shumë e kushtueshme. Një masë tjetër do të ishte zgjerimi i tubacioneve të ujit për të siguruar presion të mjaftueshëm gjatë emergjencave.

Sipas disa ekspertëve, në zona me rrezik të lartë, ndoshta duhet menduar për mosrinovimin e ndërtesave pas fatkeqësive. Kjo qasje, e njohur si “shmangie e menaxhuar”, mund të nxisë banorët të zhvendosen në zona më të sigurta.

“Këto janë vendime të vështira,” tha Greg Pierce nga UCLA, “por në disa raste, mund të jenë të domosdoshme.”

Ndërsa kushtet ekstreme si erërra e fortë ishin faktori kryesor për shkatërrimin prej zjarreve në Los Anxheles, planifikimi më i mirë, infrastruktura më e përshtatshme dhe masat parandaluese mund të kishin zvogëluar dëmet. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat