Los Angeles, zjarri dhe zemërimi

Amerika

Los Angeles, zjarri dhe zemërimi

Më: 11 janar 2025 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Pa zjarrin, njerëzimi nuk do të ekzistonte. Qoftë duke e marrë atë nga perënditë përmes sakrificës së Prometeut, apo duke e ushqyer me kujdes dhe durim nga rrufetë, rëndësia e tij nuk ndryshon, sepse me zjarrin, qytetërimi njerëzor u zhvillua dhe u bë gjithnjë e më kompleks e i strukturuar.

Homo erectus e ka përdorur zjarrin që prej 400,000 vjetësh, edhe pse fillimet e përdorimit të tij duket se janë edhe më të hershme: rreth 1.8 milionë vjet më parë, gjinia Homo filloi ta kultivonte këtë element, qoftë në formën e “zjarrit primitiv” që bie nga qielli, qoftë në atë të “zjarrit bujqësor”, që përdorej për shkrirje dhe ushqim.

Teknika e zjarrit, siç kanë theksuar shumë studiues duke filluar nga paleontologia Catherine Perlès në “Parahistoria e zjarrit”, kërkon para së gjithash një ndryshim psikologjik për ta përvetësuar dhe përdorur për qëllimet tona. Prandaj, kur flasim për zjarrin, duhet gjithmonë të marrim parasysh këtë aspekt, siç na ka shpjeguar Gaston Bachelard në “Poetika e zjarrit” (1967), ku ai e lidh zjarrin me dëshirën, dashurinë dhe një formë të seksualitetit të sublimuar që aspiron një “vertikalitet psikik”. Nuk është rastësi që poetët flasin për pasionin si flakë që shpërthen dhe për dashurinë si një zjarr që djeg, metafora të marra nga zjarri i dëshirës.

Për më tepër, fetë, që janë themelore në historinë tonë, janë të lidhura me prushin, vatrën, pirën, altarin dhe sakrificën. Vetëm duke u ndalur në Perëndimin dhe Lindjen e Afërt, nga Greqia në Romë, nga paganizmi i lashtë tek tre fetë e Librit, zjarri ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Në librin “Mite mbi origjinën e zjarrit”, historiani i feve James G. Frazer, autori i veprës së famshme “Dega e artë”, pretendon se njerëzimi ndryshon nga kafshët e tjera pikërisht për shkak të këtij elementi. Megjithëse kjo deklaratë ka një antropocentrizëm të dukshëm, ajo nuk është larg së vërtetës. Problemi mbetet tek aspekti mendor, sepse diçka ka ndryshuar në historinë psikike të njerëzimit gjatë dy shekujve të fundit.

Zjarri, në një moment, u bë armik, jo vetëm i pyjeve dhe savanave, por edhe i vetë qyteteve që janë ngritur të pamëshirshme dhe krenare mbi sipërfaqen e planetit. Në fillim, materialet që digjeshin ishin të njëjtat si ato të pyjeve: druri, prej të cilit ndërtoheshin fshatrat dhe metropolet. Zjarret legjendare të Londrës dhe qyteteve amerikane, duke nisur nga zjarri i madh i Çikagos në vitin 1871, ishin pararendësit e atyre që sot shpërthejnë në Kaliforni, siç po ndodh në Los Angeles.

Por ka diçka të re. Kriza mjedisore që ka kapluar planetin është ndërthurur me potencialin shkatërrues të zjarrit. Këtë na e shpjegon John Vaillant, një shkrimtar dhe gazetar kanadez, në librin e tij të fundit “Epoka e zjarrit”, me nëntitullin “Një histori e vërtetë nga një botë gjithnjë e më e nxehtë”.

Libri nis me përshkrimin e një pasditeje të nxehtë pranverore në vitin 2016 në një vendbanim të industrisë së naftës në rajonin e Albertës, Fort McMurray. Aty një zjarr i vogël pyjor, jo shumë larg vendbanimit, shpërthen papritur. Përhapja e flakëve përkon me një temperaturë ditore mbi 30°C, përkundrejt një mesatareje sezonale prej 15°C. Përshkrimi i këtij apokalipsi të vogël, që përfshin 100,000 njerëz në arrati, është një shembull i diçkaje të paprecedentë, një ndërprerje e shkaktuar nga zjarri që gjeneron rryma ajri me shpejtësi uragani dhe rrufe që nxisin zjarre të tjera. Vaillant e quan këtë një pirocumulonimbus, një term që shënon transformimin ku zjarri, ky mik dhe armik, është ndërthurur me ndryshimin klimatik.

Alberta është një rajon ku nxirret naftë me teknika që kërkojnë shumë energji dhe kanë kosto të larta mjedisore, për të cilat Vaillant përshkruan historinë e ndërlikuar biogjenetike, si një shembull negativ i mendësisë sonë aktuale energjetike. Epoka e zjarrit në të cilën kemi hyrë duket e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve tanë, të cilët mendonin ende në terma të konfliktit me zjarrin dhe njëkohësisht e përdornin atë për të prodhuar energji dhe mallra konsumi.

Ndryshimi klimatik na detyron të rishikojmë marrëdhënien tonë me këtë aleat të lashtë që kemi pasur, me dhuratën që Prometeu e pagoi me një çmim të lartë. Për t’u përballur me transformimin që na pret, i cili sot quhet me termin ambivalent Antropocen, është i domosdoshëm një ndryshim mendor. Hapi i parë, siç shpjegon Vaillant në epilogun e tij, është braktisja finale e Homo flagrans, që ende jemi. / Massimo Giannini-La Repubblica – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat