Kushti i vetëm i Shteteve të Bashkuara për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) është që të mos ketë rrjedhë të parasë drejt Rusisë, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Moska ta udhëheqë NIS-in.
“E vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është qëndrimi me të cilin hyjmë në këtë bisedë. Ne tashmë e kemi bërë këtë gjë me kompani të tjera ruse në vende të tjera si, Holandë, Zvicër dhe Turqi”, tha O'Brien të dielën për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).
Ai shtoi se SHBA-ja do të ndjekë rrugën drejt, siç tha, pronësinë konstruktive të NIS-it, nga e cila përfiton Serbia.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit "rrezik sekondar", do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i.
Serbia e pret qëndrimin e Rusisë
Serbia pret që bisedimet me Rusinë ta zgjidhin këtë çështje, pasi Uashingtoni dhe Beogradi ngritën çështjen e pronësisë ruse në NIS.
“Duhet të dimë saktësisht se cilat janë kushtet dhe pastaj do të mund të bisedojmë me palën ruse”, tha të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore.
Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom./REL