Në SHBA, shkurtesa DEI përfaqëson fjalët Diversitet, Barazi dhe Përfshirje. Ajo u referohet masave dhe programeve, objektivi i të cilave është të mos diskriminojnë njerëzit në bazë të seksit ose ngjyrës së lëkurës së tyre.
Shkurtesa DEI ka marrë një ngarkesë të rëndë politike: progresistët e shohin si një kontribut për një shoqëri më të drejtë, ndërsa konservatorët e shohin si një fjalë të shëmtuar.
Sot, disa kompani të mëdha kanë filluar të zvogëlojnë programet e tyre për të promovuar qëllimet e DEI, duke përfshirë zinxhirin ushqimor McDonald's, gjigantin e supermarketeve Walmart, prodhuesin e avionëve Boeing dhe prodhuesin e automjeteve Ford.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se diversiteti apo barazia gjinore kanë pushuar së qeni të rëndësishëm për ta, thonë ekspertët. Përkundrazi, kjo tregon se kompanitë po rimendojnë strategjitë e tyre, sepse duan të shmangin problemet. Në shumë fushata online dhe çështje gjyqësore, konservatorët argumentojnë se programet e diversitetit janë në vetvete diskriminuese, për shembull, kundër burrave të bardhë.
"Të gjitha bordet duhet të dinë se DEI do të jetë shumë më e diskutueshme në vitin 2025 dhe se është një rrezik në rritje që ata duhet të trajtojnë”, tha Lily Zheng për DW. Zheng këshillon kompanitë për DEI dhe shkruan libra.
Çfarë është DEI dhe kush përfiton prej saj?
Në dekadat e fundit - dhe veçanërisht që nga lëvizja Black Lives Matter në 2020 - DEI ka përjetuar një rigjallërim në SHBA. Shumë kompani kanë prezantuar trajnime për ndërgjegjësimin e paragjykimeve, programe mentorimi për grupet e nënpërfaqësuara, praktikat e punësimit të bazuara në diversitet ose kritere transparente të mbështetjes.
Këto masa synojnë të krijojnë një mjedis korrekt jo vetëm në vendin e punës, por edhe në arsim dhe institucione. Qëllimi është parandalimi i pabarazisë dhe diskriminimit sistematik. Bëhet fjalë për nxitjen e pjesëmarrjes së njerëzve me gjini, etni, aftësi, orientime seksuale dhe karakteristikave të ndryshme të identitetit.
DEI ka të bëjë me "krijimin e një fushe loje të barabartë për të gjithë", thotë David Glasgow, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Meltzer për Diversitetin, Përfshirjen dhe Përkatësinë në Universitetin e Nju Jorkut.
Përveç arsyeve morale, ka edhe argumente të forta biznesi që kompanitë të mbështesin programet e DEI, tha Glasgow për DW. Studimet kanë treguar se përdorimi i një spektri më të gjerë talentesh çon në inovacion dhe kreativitet më të madh.Gjithashtu u mundëson bizneseve të arrijnë një bazë klientësh më të larmishëm.
Përparim me faza
Por jo të gjithë janë mbështetës të DEI. "Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë për Affirmative Action në qershor 2023, paditë kundër DEI janë rritur ndjeshëm," tha Glasgow. Vendimi e shpalli jokushtetues praktikën e përhapur të SHBA për të marrë parasysh përkatësinë etnike në pranimet në kolegje dhe universitete, për shembull nëpërmjet kuotave për zezakët. Vendimi i gjykatës ka pasoja edhe jashtë sistemit arsimor.
Aktivistët konservatorë si Robby Starbuck po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për të sulmuar kompanitë mbi programet e tyre të diversitetit. Në nëntor 2024, Starbuck madje pretendoi se ai kishte kontribuar në gjigantin e shitjes me pakicë Walmart duke i dhënë fund programit të tij DEI.
Stephen Miller, ish-këshilltar politik iDonald Trump-it dhe kandidat për një pozicion në administratën e ardhshme, ka ngritur padi të shumta, duke përfshirë ato kundër Meta-s, kompania mëmë të Facebook dhe Instagramit, dhe shitësit online Amazon. Miller pretendon se nismat e DEI diskriminojnë të bardhët.
Disa procese gjyqësore kanë qenë tashmë të suksesshme. Në shtator, firma e kapitalit sipërmarrës Fearless Fund njoftoi se po pezullonte përgjithmonë programin e saj për mbështetjen e sipërmarrëseve femra të zeza. Kësaj i parapriu një mosmarrëveshje ligjore me grupin konservator "American Equal Rights Alliance”, të drejtuar nga aktivisti Edward Blum. Padia pretendonte se programi shkelte Aktin e të Drejtave Civile të 1866, sepse diskriminonte në bazë të përkatësisë etnike.
Padi të tilla mund të kenë një shans edhe më të madh suksesi kur Donald Trump të marrë detyrën si president i SHBA në janar, thotë Glasgow i Universitetit të Nju Jorkut. "Ai do të emërojë më shumë gjyqtarë që interpretojnë ligjin kundër diskriminimit në mënyrë konservatore. Kështu që unë pres që disa nga gjyqtarët të jenë më konservatorë."
"Çështjet gjyqësore që po monitorojmë mund të vendosen kundër programeve të DEI"
Glasgow pranon se ka edhe kritika ndaj DEI - për shembull, se iniciativat mbështeten në fajin dhe turpin, dhe se ndonjëherë ka mungesë saktësie dhe ndikimi. "Por ka gjithashtu një kundër-lëvizje në shoqëri drejt avancimit të drejtësisë sociale," thotë Glasgow. "Prandaj pres që disa nga çështjet gjyqësore që po monitorojmë të vendosen kundër programeve të DEI-së”.
DW pyeti Walmart pse punëdhënësi më i madh privat në SHBA e ka ndërprerë programin e tij të trajnimit për trajtim të barabartë të të gjitha grupeve racore. Walmart e la pyetjen pa përgjigje.
Një tjetër kompani e madhe që ka zvogëluar përpjekjet e saj DEI nuk pranoi të komentojë nga frika e reagimit.
Lily Zheng beson se disa drejtues biznesi janë të shqetësuar. Në një mjedis gjithnjë e më të rrezikshëm, "ata duhet të marrin vendime që kanë një ndikim të madh në linjën e tyre përfundimtare, reputacionin e markës, mbajtjen e punonjësve dhe moralin".
Një çështje emri të ri?
Sot, një shumicë e madhe e kompanive amerikane kanë ende politika DEI në fuqi, sipas një studimi të institutit kërkimor The Conference Board. Rreth 80% e kompanive të anketuara planifikojnë të mbajnë ose rrisin fondet për programet e tyre DEI gjatë tre viteve të ardhshme.
Por edhe kompanitë që zvogëlojnë programet e tyre DEI dhe minimizojnë angazhimin e tyre mund të mbeten besnike ndaj vlerave që lidhen me të, thotë Lily Zheng.
"Ndoshta e quajnë përkatësi, ndoshta e quajnë barazi. Në çdo rast, shumica e angazhimeve ekzistuese nuk duket se po ndryshojnë," thotë Zheng.
Në fakt, vetëm disa javë pas fitores zgjedhore të Donald Trump-it, Walmart përditësoi faqen e internetit dhe ndryshoi emrin e një seksioni: "Përkatësia, Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja" u bë thjesht "Përkatësia".
David Glasgow nga Universiteti i Nju Jorkut beson se Walmart dhe kompanitë e tjera nuk po përpiqeshin të përcillnin me ndryshimin e strategjisë së tyre se "një vend pune i larmishëm nuk do të thotë më i tillë për ta". Mesazhi është më shumë"ne nuk do të ofrojmë më lloje të caktuara të programeve DEI."
Por pa objektiva të qarta diversiteti, investimet në këtë fushë do të jenë gjithashtu më të ulëta, paralajmëron Lily Zheng. Kur liderët hezitojnë të marrin një qëndrim dhe të shprehin angazhimin e tyre ndaj këtyre vlerave, thotë Zheng, "ne mund të humbasim kontrollin mbi mënyrën se si flitet për këtë temë."/SW