Zjarret vdekjeprurëse në zonën e Los Anxhelosit po vazhdojnë prej një jave mes përpjekjeve të zjarrfikësve për t’i vënë ato nën kontroll. Të paktën 24 persona kanë humbur jetën prej tyre. Zyrtarët thonë se më shumë se 7,000 objekte, shtëpi banimi, shkolla dhe biznese, janë djegur deri tani. Një prej tyre është shtëpia zjarrfikësit Isaac Baeza dhe familjes së tij, e cila u dogj plotësisht nga zjarri në qytetin e Altadenës.
Baeza, një zjarrfikës me më shumë se 20 vjet përvojë, thotë se zjarri ka qenë i pashembullt.
"Kurrë nuk kam parë një forcë natyre si kjo, erëra dhe thatësirë të tillë", thotë ai për Zërin e Amerikës.
Gruaja e Baezas, Rosary kujton se si morën një njoftim evakuimi të martën në mbrëmje, por nuk menduan që nuk do të gjenin më asgjë: zjarri dukej larg dhe i vogël, ata paketuan vetëm disa sende.
Në mëngjes, Baeza dhe një shok i tij u kthyen në përpjekje për të shpëtuar shtëpinë, por nuk kishte ujë.
“Ne menduam se mund ta shpëtonim shtëpinë, por zbuluam që nuk kishte ujë. Flakët po përhapeshin me shpejtësi dhe unë u largova me makinë. Mbaj mend që nga pasqyra munda të shoh pjesën e pasme të shtëpisë duke marrë flakë dhe mendoja: Ndoshta nëse do të kisha pasur ujë, do të kisha mundur t'i shuaja këto zjarre të vogla dhe ndoshta shtëpia ime nuk do të ishte djegur”, thotë ai.
Ekipet e zjarrfikësve kanë hasur mungesë uji ose presion të ulët të tij, në përpjekje për të shuar këtë vatër zjarri në Altadena dhe një tjetër, më të madhe në zonën Palisades. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka njoftuar për një hetim për këtë çështje.
Aktualisht zjarret në Los Anxhelos, janë shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 150 kilometrash katrorë. Më shumë se 150,000 vetë kanë marrë urdhër evakuimi. Erërat e thata dhe të shpejta të Santa Anas, që përhapin flakët, po fuqizohen sërish të hënën, thotë shefja e zjarrfikësve të Los Anxhelesit, Kristin Crowley.
“Paralajmërimi për rrezikshmëri të lartë është në fuqi deri në orën 18:00, të mërkurën në mbrëmje. Erërat e forta të Santa Anas pritet gjithashtu të zgjasin deri të mërkurën dhe erërat më të forta do të jenë të martën”.
Familja e zotit Baeza po qëndron me disa miq, duke pritur pagesën nga kompanitë e sigurimeve. Ata thonë se kanë në plan ta rindërtojnë shtëpinë.
“Të gjithë do të kthehemi dhe do të rindërtojmë, ne dhe fqinjët tanë. Ky është komuniteti ynë. Fëmijët tanë luanin në fund të rrugës me fëmijët e tjerë. I festonim ditëlindjet bashkë. Jemi shumë të afërt”, thotë gruaja e tij Rosary Villegas.
Komuniteti i Los Anxhelosit është bashkuar në këtë kohë fatkeqësie për të ndihmuar familjet e zhvendosura, si dhe për të mbështetur zjarrfikësit. Strehat për të evakuuarit dhe stacionet e zjarrfikësve janë të stërmbushura me ushqime dhe rroba, saqë autoriteteve u është dashur të njoftojnë se tani po pranojnë vetëm dhurime monetare./VOA