Sfida të mëdha në Lindjen e Mesme për ekipin e ardhshëm të Presidentit Trump

Amerika

Sfida të mëdha në Lindjen e Mesme për ekipin e ardhshëm të Presidentit Trump

Më: 13 janar 2025 Në ora: 19:07
Donald Trump

Administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do të përballet me sfida të rëndësishme në Lindjen e Mesme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Lipin, zoti Trump ka përzgjedhur si këshilltarë për këtë çështje dy sipërmarrës me të cilët ka lidhje të forta personale.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump përzgjodhi mikun e tij të hershëm Steven Witkoff, si të dërguarin e ri të posaçëm për Lindjen e Mesme. Investitori i pasurive të patundshme në Nju Jork bëri vazhdimisht fushatë për rizgjedhjen e zotit Trump.

Kjo marrëdhënie e ngushtë do ta ndihmojë zotin Witkoff në rajon, thotë analistja e sigurisë kombëtare Allison McManus.

“Pra meqë Witkoff-i ka nevojë të udhëtojë, të takohet me homologët e huaj, krerët e shteteve, apo në nivelin ministror, ai do të mundet të ketë një lloj ndikimi, pasi ai është dikush që flet në emër të presidentit dhe do ta ketë këtë lloj autoriteti në këto mjedise”, thotë ekspertja Allison McManus, nga Qendra për Progresin Amerikan.

Në muajin maj në Katar, zoti Witkoff e vlerësoi këtë vend të Gjirit Persik për diversifikimin e ekonomisë nëpërmjet bashkëpunimit të qeverisë dhe sektorit privat.

“E ndjej në Katar. Mendoj se kishin qartazi një ekonomi që ishte shumë më e orientuar drejt hidrokarbureve, gazit natyror dhe gjërave të këtij lloji. Po zgjerohen. Turizmi është rritur. Hotelet këtu janë të mrekullueshëm. Kush nuk do të rikthehej në këtë rajon?”, tha zoti Witkoff.

Ekspertët vërejnë se zotit Witkoff mund t’i duhet të heqë dorë nga disa marrëveshje të pasurive të patundshme me vendet e Gjirit Persik, për të respektuar ligjet amerikane kundër konfliktit të interesit.

“Është absolutisht diçka që është një shqetësim i madh, pasi shohim disa nga këto figura, veçanërisht të komunitetit të biznesit, në role ku mund të pasurohen personalisht në rrethana negociatash që mund të jenë më të favorshme për vende të caktuara, si vendet e Gjirit. Dhe gjithashtu për çfarë kjo mund të nënkuptojë për sa i përket përparësive që do të përcaktojnë”, thotë ekspertja McManus.

Massad Boulos do të shërbejë si këshilltar i lartë i Presidentit të ardhshëm Trump për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme. Ai është vjehrri i vajzës së presidentit të zgjedhur, Tiffany.

Sipërmarrësi libanezo-amerikan bëri gjithashtu fushatë për rizgjedhjen e zotit Trump, duke mobilizuar votuesit arabo-amerikanë në shtetin e Miçiganit.

Zoti Boulos është drejtues ekzekutiv në “SCOA Nigeria”, një kompani që shet kamionë dhe makineri të rënda në vendin e Afrikës Perëndimore.

Ai lindi në një familje nga pakica e krishterë në fshatin verior libanez Kfar Akka, ku babai i tij shërbeu si kryetar bashkie.

Tetorin e kaluar, zoti Boulos tha se konflikti në rajon e ka penguar atë të rikthehet në Liban.

“Nuk jam kthyer në vendlindjen time, në atdheun tim, prej shumë vitesh për shkak të kësaj situate. Do të doja të rikthehesha. Do të doja që fëmijët e mi të riktheheshin në Liban. Libani dikur njihej si Zvicra e Lindjes së Mesme dhe Bejruti ishte Parisi i Lindjes së Mesme. Ne duam të bëhet sërish kështu”, tha zoti Boulos.

Sfida të mëdha e presin ekipin e ri të Presidentit të zgjedhur Trump në Lindjen e Mesme. Ato përfshijnë konfliktet e vazhdueshme të Izraelit me partnerët e Iranit në Gazë dhe Jemen, zgjerimin e programit bërthamor të Iranit, daljen kaotike të Sirisë nga sundimi diktatorial dhe një marrëveshje, të vështirë për t’u arritur, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite./Voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat