NATO pritet të marrë vendim mbi objektivat e reja për armët dhe trupat në verë

Amerika

NATO pritet të marrë vendim mbi objektivat e reja për armët dhe trupat në verë

Më: 13 janar 2025 Në ora: 19:54
Admiral Rob Bauer, shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

NATO synon të marrë një vendim mbi objektivat e reja për armët dhe numrin e trupave këtë verë, tha një zyrtar i lartë ushtarak të hënën, duke iu referuar ndryshimeve më të mëdha të aleancës që nga Lufta e Ftohtë, pasi ajo po përballet me një kërcënim në rritje nga Rusia.

Aleanca ushtarake dhe politike perëndimore ka qenë nën trysni jo vetëm pas sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022 dhe thirrjet e Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të rritur nivelin e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për objektivat e aftësive të reja disa javë përpara se udhëheqësit e tyre të takohen në Hagë më 24-26 qershor, tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters shefi i Komitetit Ushtarak të aleancës, admirali holandez Rob Bauer.

"Ne synojmë arritjen e një marrëveshjeje përpara samitit në Hagë për t’i dhënë kohë të mjaftueshme udhëheqësve të vendeve të aleancës për zgjidhjen e ndonjë problemi të mbetur", tha admirali Bauer.

Në vitin 2023, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord për një dokumet prej mijëra faqesh me plane sekrete të mbrojtjes, që detajojnë për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë hapat se si aleanca do t'i përgjigjej një sulmi rus.

Megjithatë, dokumenti nxorri në pah mungesa të konsiderueshme në mbrojtjen ajrore dhe raketat me rreze të gjatë veprimi, numrin e trupave, municionet, vështirësitë logjistike dhe mungesën e komunikimeve të sigurta dixhitale në fushën e betejës.

Këto mangësi fillimisht pritej të diskutoheshin në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në vjeshtën e vitit 2025.

Në takimin e nivelit të lartë në Hagë do të diskutohet gjithashtu për rritjen e objektivit ekzistues të shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2% të prodhimit të brendshëm bruto, në 3% të paraqitur nga disa ekspertë si një objektiv i ri i mundshëm. Zoti Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, kohët e fundit kërkoi një objektiv të ri shpenzimesh të mbrojtjes në nivel prej 5%.

Admirali Bauer nuk pranoi të përmendte një shifër konkrete, por tha se ideja për të çuar përpara objektivat e aftësisë së NATO-s ishte "për t'u siguruar që të gjithë të kuptojnë më mirë lidhjen me paratë" pasi nevojat u qartësuan përmes planeve të reja të mbrojtjes.

"Objektivat e reja do të përcaktojnë nevojat për blerje të reja", tha admirali holandez. "Pra, në thelb kjo do të ndihmojë që njerëzit të kuptojnë pse duhet të kemi shpenzime në nivel më të lartë se 2% të prodhimit të brendshëm bruto", shtoi ai.

Gjatë Luftës së Ftohtë, aleatët e NATO-s shpenzonin mesatarisht 3%-6% të prodhimit të brendshëm bruto për ushtritë e tyre, sipas admiralit Bauer.

"Nëse do të kishim vazhduar të shpenzonim (si aleancë) në të njëjtin nivel me atë fillimit të viteve 1990, që ishte në një nivel prej 3% të prodhimit të brendshëm bruto, ne deri më tani do të kishim shpenzuar 8.6 trilionë dollarë më shumë", tha admirali Bauer.

"Ky është në thelb investimi për paqen që ne tani duhet të bëjmë", shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat