Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve hartojnë një projektligj për blerjen e Groenlandës

Amerika

Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve hartojnë një projektligj për blerjen e Groenlandës

Më: 13 janar 2025 Në ora: 20:40
Foto ilustrim

Aleatët republikanë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të sigurojnë mbështetje për një projektligj mbi autorizimin e bisedimeve për blerjen e Groenlandës. Lajmi u publikua duke u mbështetur në një kopje të projektligjit që tanimë u është dërguar disa ligjvënësve.

Projektligji quhet “Ta Bëjmë Groenlandën të Madhërishme Sërish”, njoftuan zyrat e ligjvënësve republikanë Andy Ogles, i cili po udhëheq përpjekjet për projektligjin dhe Diana Harshbarger. Faqja e internetit e rrjetit Fox News njoftoi të hënën në mëngjes mbi një kopje të projektligjit që ka 10 përkrahës të tjerë.

Pse është e rëndësishme

Presidenti i zgjedhur Trump thotë se dëshiron ta bëjë Groenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe nuk përjashton përdorimin e fuqisë ushtarake ose ekonomike për të bindur Danimarkën që ta dorëzojë atë. Republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Pikat kyçe

Projektligji, nëse miratohet, do të lejojë presidentin të fillojë negociatat me Danimarkën më 20 janar, kur zoti Trump merr detyrën.

“Kongresi autorizon Presidentin, duke filluar nga ora 12:01 më 20 janar, për të kërkuar fillimin e negociatave me Mbretërinë e Danimarkës për të siguruar blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara”, thuhet në këtë projektligj.

“Jo më vonë se 5 ditë pas arritjes së një marrëveshjeje me Mbretërinë e Danimarkës në lidhje me blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, Presidenti do t'u dërgojë komisioneve përkatëse të Kongresit marrëveshjen, duke përfshirë të gjitha materialet dhe anekset përkatëse”, shton ai.

Konteksti

Danimarka ka kontrollin e Groenlandës prej disa shekujsh, fillimisht si koloni dhe aktualisht si territor gjysmë sovran. Ishulli i nënshtrohet kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e tij ligjor do të kërkonte një ndryshim kushtetues.

Kryeministri i Groenlandës Mute Egede, i cili ka rritur përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat