Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump do të marrë pjesë virtualisht në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, disa ditë pas inaugurimit, tha të martën Presidenti i forumit.
Borge Brende, ish ministër i Jashtëm i Norvergjisë, i cili drejton organizatën me seli në Gjenevë, vuri në dukje se gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump kishte marrë pjesë personalisht dy herë në takimin që bën bashkë udhëheqës qeveritarë, sipërmarrës dhe drejtues të tjerë.
“Të enjten pasdite ai do të na bashkohet përmes internetit, për një dialog me pjesëmarrësit tanë”, u tha zoti Brende gazetarëve të martën ndërsa prezantoi agjendën pesë-ditore të takimit i cili do të fillojë të hënën, ditën e inaugurimit të zotit Trump.
"Mendojmë se do të jetë një moment shumë i veçantë," shtoi ai, veçanërisht për të kuptuar "përparësitë" që do të ndjekë administrata e re.
Zoti Brende tha se nuk e dinte nëse në forum do të marrë pjesë Elon Musk, multimiliarderi i cili do të jetë një nga drejtuesit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, një entitet i ri në adminisitratën Trump. Megjithatë zoti Brenda shtoi se forumi pret "përfaqësim shtesë, të nivelit të lartë" nga administrata amerikane, ndërsa merr udhë procesi i konfirmimit në Senat i të emëruarve nga zoti Trump.
Organizatorët e forumit thonë se në takimin e këtij viti pritet të marrin pjesë rreth 900 udhëheqës biznesi, përfshirë nga tregje të rëndësishme në zhvillim, ndërsa në total do të jenë të pranishëm rreth 3,000 pjesëmarrës nga mbi 130 vende.
Me sfidës së ndryshimeve klimatike, luftrave, tensioneve globale, pasigurisë ekonomike dhe çështjeve të tjera, zoti Brende pranoi se takimi i 55-të vjetor i forumit do të zhvillohet “në sfodin gjeopolitik më të ndërlikuar ndër breza".
Tema e takimit të këtij viti është "Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente" - një shenjë e rëndësisë në rritje të teknologjisë në botë.
Forumi Ekonomik Botëror është kritikuar prej kohësh si një forum që mbledh elitat botërore që “thurin plane” për të ardhmen duke u bërë bashkë në një zonë të qetë dhe me borë në Alpet Zvicerane. Kritikët shpesh argumentojnë se bota në zhvillim merr më pak vëmendje sesa fuqitë globale dhe bizneset e mëdha në Perëndim ose shtetet e Gjirit.
Menaxhuesi i forumit Mirek Dusek këmbënguli se numri i bizneseve nga vendet në zhvillim në "Jugun Global" po rritej dhe se numri i drejtuesve të tyre që merrnin pjesë në takim ishte "i barabartë" me atë të udhëheqësve në botën e zhvilluar.
Ursula Von Der Leyen, presidente e Komisionit Europian planifikon të marrë pjesë në ditën e fillimit të takimeve të martën, pas mbrëmjes festive të hapjes së forumit të hënën. Pjesëmarrës të tjerë të lartë përfshijnë Presidentin e Argjentinës Javier Milei, Presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe Zëvendëskryeministrin kinez Ding Xuexiang.
Gama e gjerë e temave të forumit do të përfshijë të ardhmen e Sirisë pas rënies së presidentit Bashar al-Assad muajin e kaluar dhe në takim do të marë pjesë ministri i ri i jashtëm sirian; tema të tjera do të jenë lufta kundër ndryshimeve klimatike; kërcënimet që paraqet inteligjenca artificiale; tregtia globale dhe rritja ekonomike; si dhe luftërat në vende si Ukraina, Sudani./VOA