SHBA, Hegseth përballet me skepticizmin e demokratëve

Amerika

SHBA, Hegseth përballet me skepticizmin e demokratëve

Më: 15 janar 2025 Në ora: 17:47
Pete Hegseth

I emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e sekretarit të mbrojtjes, Pete Hegseth, u përball të martën me pyetje të ashpra nga demokratët në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura.

Veterani dhe ish-prezantuesi televiziv Pete Hegseth e vuri theksin tek e kaluara e tij jokonvencionale për një kandidat për Sekretar Mbrojtjeje:

"Është koha t’i jepet timoni dikujt që e ka provuar luftën, dikujt që sjell ndryshim, që nuk ka asnjë interes në kompani të caktuara ose programe të veçanta, apo me një linjë të paracaktuar mendimi. Interesi im i vetëm janë ata që janë në luftë", tha ai në seancën e së martës.

Në përgjithësi të emëruarit për sekretar mbrojtjeje marrin një mbështetje të gjerë dypartiake. Por jo zoti Hegseth. Senatori Jack Reed është demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura.

“Kam votuar në favor të të gjithë paraardhësve tuaj, përfshirë në administratën e parë Trump. Fatkeqësisht juve ju mungon karakteri, gjakftohtësia dhe aftësia për të mbajtur postin e sekretarit të mbrojtjes”, tha ai.

Zoti Hegseth u vlerësua nga republikanët të cilët thonë se një Pentagon i përqendruar tek diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja ka dobësuar fuqinë e ushtrisë.

"Nuk kam asnjë dyshim se ai do ta kthejë Pentagonin në misionin e tij kryesor - gatishmërinë maksimale. Kjo etikë lufte është ajo që do të respektojnë armiqtë tanë. Morali i luftëtarit është ajo që armiqtë tanë do të kenë frikë dhe është ky moral që do të ruajë paqen”, tha anëtari republikan i Kongresit, Michael Waltz.

Demokratët e pyetën atë lidhur me akuzat për sjellje të pahijshme dhe keqtrajtim të grave, dhe mungesën e përvojës menaxheriale.

“Është një prej organizatave më komplekse dhe më të mëdha në botë. Ne jemi si bordi i drejtorëve të punësimit për drejtimin e saj. Nuk di ndonjë bord drejtorësh të një korporate që do të punësonte një drejtues të një kompanie të madhe, nëse do të vinte dhe do të thoshte se ‘ka pasur nën mbikqyerje100 vetë’”, tha senatori demokrat Gary Peters.

Zoti Hegseth tha se përgjigjia ndaj sjelljes agresive të Kinës mbetet një përparësi kryesore e Pentagonit.

"Ne do të punojmë me partnerët dhe aleatët tanë për të frenuar agresionin në Indo-Paqësor nga kinezët komunistë", tha ai.

Por kur u pyet për aleatët dhe partnerët në bllokun me 10 vende të Indo-Paqësorit ASEAN, zoti Hegseth nuk mundi të kujtonte asnjë prej tyre.

“Zoti Hegseth, asnjë nga vendet që përmendët nuk është pjesë e ASEAN-it. Sugjeroj që të bëni detyrat e shtëpisë për t’u përgatitur për këto lloj negociatash”, tha Senatorja demokrate Tammy Duckworth.

Demokratët dhe republikanët i bënë trysni zotit Hegseth mbi komentet e tij kundër angazhimit të grave në luftime.

“Unë e them hapur se ne nuk duhet të kemi gra në role luftarake. Nuk na ka bërë më efektivë, nuk na ka bërë më të fortë, e ka bërë më të ndërlikuar luftën”, ishte shprehur më parë ai.

"Si Sekretar e Mbrojtjeje, a do të mbështesni gratë që të vazhdojnë të kenë mundësinë për të shërbyer në role luftarake?", pyeti Senatorja Republikane Joni Ernst, një veterane e ushtrisë.

“Po, gratë do të kenë qasje në rolet luftarake, por pa ulur standardet”, tha zoti Hegseth.

Në një koment për Zërin e Amerikës, Pentagoni tha se "standardet për shërbimin ushtarak nuk janë ulur" dhe konkretisht, "Njësitë luftarake dhe të specializuara respektojnë kritere strikte dhe rigoroze për të garantuar zgjedhjen vetëm të individëve të kualifikuar, pavarësisht nga gjinia".

Senatorja Elizabeth Warren shprehu shqetësimin se Hegseth ndryshoi retorikën e tij për të siguruar vota për konfirmimin e tij.

“Shpresoj e kuptoni që shumë gra që shërbejnë në ushtri tani mund të mendojnë se nëse i ndryshoni kaq lehtësisht pikëpamjet tuaja në vetëm 32 ditë, 32 ditë pasi të konfirmoheni, ndoshta do t’u ktheheni prapë qëndrimeve tuaja të vjetra sipas së cilave gratë nuk duhet të marrin pjesë në luftime", tha senatorja demokrate.

Zotit Hegseth i duhet të sigurojë shumicën e votave të Senatit për t’u konfirmuar. Pesëdhjetë e tre nga 100 senatorët amerikanë janë republikanë, por është ende e paqartë se si do të votojë çdo senator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat