Brenda pak orësh, Donald Trump (78) do të jetë sërish President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe që në orët e para në detyrë, ai ka paralajmëruar masa të mëdha: ai do të nënshkruajë një "numër rekord" dekretesh. Flitet për deri në 100 të tilla.
Gjatë mandatit të tij të parë, fotot e Trump-it që kthente pas masat e paraardhësit të tij, Barack Obama (63), me nënshkrimin e tij të madh, bënë xhiron e botës.
Trump ka paralajmëruar vazhdimisht javët e fundit se cilat dekrete mund të nënshkruajë që sot.
Këto janë ndryshimet më të mëdha:
Migracioni
▶︎ Në kufirin me Meksikën pritet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme kombëtare, duke bërë të mundur që të lirohen fonde dhe burime të reja nga Pentagoni (Ministria e Mbrojtjes).
▶︎ Organizimi i bastisjeve në qytete të mëdha.
▶︎ Riaftësimi i programit “Remain in Mexico” (Shqip: "Qëndroni në Meksikë"), sipas të cilit dhjetëra mijëra azilkërkues do të dërgohen përsëri në Meksikë dhe do të qëndrojnë atje derisa të zgjidhet procedura e tyre e azilit.
▶︎ Urdhër për ushtrinë që të ndihmojë në ndërtimin e strukturave kufitare.
▶︎ Vendosja e ndalimeve të hyrjes për disa shtete apo individë.
Doganat
▶︎ Vendosja e tarifave doganore prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja.
▶︎ Rritja e tarifave për mallrat nga Kina deri në 60%.
▶︎ Tarifa prej 10% për të gjitha importet e tjera.
Gjinia
▶︎ Administrata e re amerikane do të njohë vetëm dy gjini: femër dhe mashkull. Sipas një përfaqësuesi të Trump-it, programet “radikale dhe të shtrenjta” për promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes do të hiqen.
▶︎ Shkollat dhe kompanitë nuk do të marrin më fonde për programe DEI (Diversitet, Përfshirje, Drejtësi), që promovojnë gratë dhe pakicat etnike.
▶︎ Personat transgjinorë do të përjashtohen nga ushtria dhe shkollat.
Energjia
▶︎ Shpallja e emergjencës kombëtare për energjinë.
▶︎ Anulimi i dekreteve të Biden-it për ndalimin e shpimeve për gaz dhe naftë në tokat federale dhe përgjatë brigjeve.
▶︎ Reduktimi i fondeve për luftimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.
▶︎ Heqja e subvencioneve për makinat elektrike dhe ndalimi i ndërtimit të centraleve të reja të erës.
Nëpunësit publikë
▶︎ Heqja e mbrojtjes nga pushimi nga puna për nëpunësit federalë.
▶︎ Ndryshimi i rregullave të punësimit për punonjësit e qeverisë.
Amnistia
▶︎ Amnistimi i përkrahësve të Trump-it që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021 dhe u dënuan për këtë.
Abortet
▶︎ Grupet që ofrojnë këshillim për ndërprerjen e shtatzënisë nuk do të marrin më fonde federale.