Paul Abbate, i cili u bë drejtor i FBI-së në detyrë pas dorëheqjes së ish-drejtorit Christopher Wray, në një email dërguar drejtuesve të lartë të hënën, i siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press, njoftoi daljen në pension.
Paul Abbate pritej të drejtonte FBI-në ndërkohë që po zhvillohen procedurat e konfirmimit në Senat për të emëruarin e Presidentit Trump Kash Patel për këtë post. Por pas daljes në pension të drejtorit në detyrë Abbate të hënën, ditën kur Presidenti Trump mori detyrën, nuk ishte menjëherë e qartë se kush do ta zëvendësonte.
“Kur drejtori më kërkoi të qëndroja në detyrë për një kohë të shkurtër, unë e bëra këtë për të siguruar një vazhdimësi dhe tranzicion më të lehtë për FBI-në. Tani, me ardhjen e një udhëheqjeje të re, pas afro katër vitesh në rolin e zëvendësit, unë po largohem nga FBI-ja sot”, thuhet në emailin e zotit Abbate.
Largimi i papritur i zotit Abbate pas një karriere 28 vjeçare në FBI krijon paqëndrueshmëri shtesë për një agjenci të zbatimit të ligjit, që tashmë ishte përgatitur për një periudhë paqëndrueshmërie në rast se zoti Patel do të konfirmohej. Një mbështetës besnik i Presidentit Trump, zoti Patel ka kritikuar vazhdimisht udhëheqjen e FBI-së dhe procesin e saj të vendimmarrjes dhe ka alarmuar demokratët me deklarata që sugjerojnë se ai do të ishte i gatshëm të përdorte FBI-në për të ndëshkuar kundërshtarët politik të zotit Trump.
Megjithëse emaili i zotit Abbate nuk shpjegonte se kush mund ta pasonte atë, FBI-ja ka një plan për zëvendësimin e udhëheqjes në situata të tilla, sipas një personi që foli me kusht që të mbetej anonim.
Dita e fundit e zotit Wray në detyrë ishte e diela, duke e bërë zotin Abbate drejtor në detyrë për vetëm një ditë.
Paul Abbate ka mbajtur poste të ndryshme drejtuese në karrierën e tij gati tre dekadashe në FBI, duke përfshirë atë të drejtuesit të zyrave të FBI-së në Detroit dhe Uashington dhe atë të ndihmës drejtorit ekzekutiv për degën kriminale kibernetike. Ai u emërua në postin e zëvendësdrejtorit të FBI-së, posti i dytë më i lartë përgjegjës për aktivitetet hetimore të FBI-së, në vitin 2018.
“Në hapat tuaj përpara, vazhdoni të respektoni vlerave tona thelbësore, mbështetni partnerët tanë dhe kujdesuni për ata që shërbejnë përkrah jush. Faleminderit për shërbimin tuaj”, thuhet në emailin e zotit Abbate.
Zoti Wray u emërua nga Presidenti Trump gjatë mandatit të tij të parë dhe shërbeu në postin e drejtorit të FBI-së për më shumë se shtatë vjet. Zoti Wray muajin e kaluar njoftoi daljen në pension, rreth një javë pasi Presidenti Trump deklaroi se për postin e drejtorit të FBI-së do të emëronte zotin Kash Patel./VOA