Vivek Ramaswamy ka njoftuar largimin nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) në SHBA, një iniciativë e krijuar gjatë administratës së Donald Trumpit, ku do të shërbente nën miliarderin Elon Musk.
Sipas raportimeve të washingtonpost, Ramaswamy ka vendosur të mos jetë pjesë e administratës Trump, pasi dëshiron të kandidojë për guvernator të Ohios. Ky vendim u bë publik disa orë pasi Trump mori detyrën si president në Shtëpinë e Bardhë.
“Vivek Ramaswamy luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë. Ai tani synon të kandidojë për një post të zgjedhur, gjë që e kërkon largimin e tij nga DOGE, në përputhje me strukturën e shpallur sot. Ne e falënderojmë për kontributin e tij gjatë dy muajve të fundit dhe presim që ai të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën sërish të madhe,” deklaroi zëdhënësja Anna Kelly.
Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë u krijua nga presidenti i ri amerikan me qëllimin për të zvogëluar burokracitë qeveritare dhe për të eliminuar rregulloret e panevojshme. Trump kishte kërkuar gjithashtu reduktimin e shpenzimeve të kota dhe ristrukturimin e agjencive federale.
Lideri i ri amerikan e përshkroi këtë departament si një nismë që do të realizonte ëndrrat e kahershme të republikanëve, duke ofruar “këshilla dhe udhëzime nga jashtë qeverisë”.
Ndërkohë, roli i Elon Musk në DOGE do të jetë joformal, çka i lejon atij të vazhdojë drejtimin e kompanive Tesla, SpaceX dhe rrjetit social X.