Pak orë pasi bëri betimin më 20 janar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë për të përmbushur premtimet e tij të fushatës.
Mes tyre ishte edhe urdhri që ndalon nënshtetësinë automatike për ata që lindin në Shtetet e Bashkuara.
I quajtur “Mbrojtja e kuptimit dhe vlerës së shtetësisë amerikane”, urdhri ekzekutiv i Trumpit kundërshton shtetësinë për foshnjat e lindura në SHBA nga prindër që nuk janë as shtetas e as banorë të përhershëm të ligjshëm.
Urdhri ekzekutiv, i cili hyn në fuqi pas 30 ditësh, përkatësisht më 19 shkurt, mund të prekë dhjetëra mijëra fëmijë që lindin çdo vit në SHBA nga prindër që nuk kanë status ligjor, përfshirë fëmijët e njerëzve që u është siguruar azili, por nuk janë ende banorë të përhershëm, si dhe ata të shtetasve të huaj që u është dhënë leja afatgjate e punës, H-1B.Grupet e të drejtave të njeriut, që e parashikuan këtë masë të Trumpit, ngritën padi në gjykatën federale për të ndaluar hyrjen në fuqi të urdhrit.
Sipas tyre, ai është mizor përballë asaj që përfaqëson SHBA-ja.
Rreth 22 shtete të udhëhequra nga demokratët, së bashku me Qarkun e Kolumbisë dhe qytetin e San Franciskos, ngritën gjithashtu padi.
Jayesh Rathod, profesor i së Drejtës dhe drejtor i Klinikës së Drejtësisë për Imigrantët në Kolegjin Juridik të Universitetit Amerikan të Uashingtonit, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja mund të arrijë në Gjykatën Supreme.
“Unë mendoj se çështja po shndërrohet në një rast testues, që do të kalojë nëpër gjykata federale. Nuk do të habitesha nëse Gjykata Supreme do ta shqyrtonte atë”, thotë Rathod.
Historia e skllevërve
Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-së - i miratuar më 1868, tre vjet pas shfuqizimit të skllavërisë - thotë se “të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku ata banojnë”.
Ky amendament rrëzoi një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1857, sipas të cilit afrikano-amerikanët nuk ishin qytetarë të SHBA-së, për shkak të racës së tyre.
Interpretimi aktual i Amendamentit të 14-të - që nënkupton dhënie të nënshtetësisë për këdo që ka lindur në Shtetet e Bashkuara, përveç fëmijëve të diplomatëve - buron nga një padi e vitit 1898, e ngritur nga Wong Kim Ark, i cili lindi në San Francisko nga imigrantë të ligjshëm kinezë.
Pas një udhëtimi në Kinë, Arkut iu mohua rihyrja në Shtetet e Bashkuara, me arsyetimin se nuk ishte shtetas.
Ai ngriti padi, duke argumentuar se ishte shtetas sipas Amendamentit të 14-të, dhe Gjykata Supreme vendosi në favor të tij, duke krijuar kështu një precedent.
Ndër vite, ligji u abuzua, sidomos nga qytetarët e pasur të vendeve të huaja të paqëndrueshme ose represive, të cilët i dërgonin bashkëshortet ose të dashurat e tyre në SHBA me viza turistike për të lindur, me qëllim që fëmijët ta merrnin automatikisht nënshtetësinë amerikane.
Taktika u përhap aq shumë, saqë nisi të quhej “turizëm i lindjes”.Qendra për Studimet e Imigracionit - organizatë kërkimore që mbron kufizimin e imigracionit - vlerësoi se nga mesi i vitit 2016 deri në mes të vitit 2017, në Shtetet e Bashkuara kanë lindur 33.000 fëmijë nga gra të huaja me viza turistike.
Pasi e marrin pasaportën e foshnjës, këto gra zakonisht largohen, për t’i rritur fëmijët e tyre në vendet e tyre.
Në janar të vitit 2019, gjatë mandatit të parë të Trumpit, prokurorët amerikanë ngritën për herë të parë akuza federale kundër operatorëve të një biznesi të “turizmit të lindjes”.
Në atë rast, 19 persona u paditën për drejtimin e një biznesi që u merrte shtetasve kinezë dhjetëra mijëra dollarë, për të lindur në Kaliforni.
Po atë vit, agjencia e lajmeve AP raportoi se qindra gra shtatzëna ruse shkojnë çdo vit në Floridë për të lindur.
Prindërit mund ta marrin nënshtetësinë amerikane kur fëmijët e tyre bëhen të rritur.
Shtetësia amerikane lakmohet, për shkak të mundësive që i ofron vendi. Përveç kësaj, mbajtësit e pasaportave amerikane mund të marrin edhe mbështetje nga ambasadat lokale të SHBA-së, në rast të arrestimit ose ndonjë krize tjetër në vendin e tyre.
Por, “turizmi i lindjes” përfshin vetëm disa nga foshnjat e lindura nga joshtetas amerikanë. Të tjerët përfshijnë ata që kërkojnë azil ose që aplikojnë për shtetësi.
Trump, i cili politikat kundër imigracionit i kishte në qendër të fushatës së tij presidenciale, foli kundër shtetësisë automatike amerikane për foshnjat që lindin nga shtetas të huaj edhe në mandatin e parë, por nuk ndërmori ndonjë veprim ligjor.Ekspertët thonë se Trump, i cili ishte i ri në politikë kur i fitoi zgjedhjet më 2016, e ka planifikuar me kujdes legjislacionin e diskutueshëm gjatë katër vjetëve të kaluar, në rast të rikthimit të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Administrata Trump është duke u fokusuar në gjashtë fjalë të Amendamentit të 14-të, duke pretenduar se e përjashtojnë shtetësinë në lindje për fëmijët e prindërve që nuk janë as banorë të përhershëm ligjorë e as qytetarë.
“Amendamenti i 14-të nuk është interpretuar kurrë për shtrirjen e shtetësisë në mënyrë universale, për këdo që lind brenda Shteteve të Bashkuara. Amendamenti i 14-të ka përjashtuar gjithmonë nga shtetësia që në lindje personat që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara, por që nuk janë ‘subjekt i juridiksionit të tyre’”, tha administrata në deklaratën e lëshuar më 20 janar.
Urdhri ekzekutiv i Trumpit, në mënyrë specifike, ua mohon shtetësinë foshnjave të lindura nga nëna që gjenden në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme dhe baballarë që nuk janë as shtetas të SHBA-së, as banorë të përhershëm të ligjshëm.
Ai ua mohon shtetësinë edhe foshnjave të lindura nga nëna që gjenden ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, por përkohësisht - qoftë me vizë turistike, pune ose studimi - dhe baballarë që nuk janë as shtetas amerikanë, as banorë të përhershëm të ligjshëm.
Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) dhe grupe të tjera për të drejtat e imigrantëve ngritën menjëherë padi, duke e denoncuar urdhrin ekzekutiv si jokushtetues dhe çnjerëzor.
“E drejta e shtetësisë nga lindja është e garantuar me Kushtetutën tonë dhe është absolutisht thelbësore për atë që përfaqëson Amerika”, tha Cody Wofsy, zëvendësdrejtor i Projektit të të Drejtave të Imigrantëve në ACLU dhe avokat kryesor në këtë rast.
“Mohimi i shtetësisë për foshnjat e lindura në tokën amerikane, është i paligjshëm, thellësisht mizor dhe në kundërshtim me vlerat tona si vend”, shtoi ai.Përmes një deklarate të përbashkët, grupet e të drejtave të imigrantëve paralajmëruan se urdhri i Trumpit, potencialisht, vë në rrezik jetën e foshnjave dhe krijon një nënklasë të përhershme të njerëzve në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tyre, fëmijëve të tillë mund t’u mohohen shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor në një fazë kritike të jetës së tyre.
“Urdhri gjithashtu do të stigmatizojë dhe do të dërgojë një mesazh përjashtimi jo vetëm për fëmijët e prekur drejtpërdrejt prej tij, por edhe për shumë të tjerë që do t’u vihet në dyshim shtetësia, për shkak të racës së tyre ose prindërve të tyre. Përjashtimi i njerëzve të lindur këtu, do të krijojë gjithashtu një nënklasë të përhershme të atyre që nuk kanë qenë kurrë në një vend tjetër dhe mund të mbeten pa shtetësi”, thuhet në deklaratë.
Sfida e Shtëpisë së Bardhë
Ndërsa ligjvënësit paraqitën kohë pas kohe legjislacione për t’i dhënë fund shtetësisë universale në lindje, Rathod thotë se sfida e Trumpit për interpretimin e Amendamentit të 14-të, mund të jetë e para nga Shtëpia e Bardhë.
Argumentet për zvogëlimin e shtrirjes së Amendamentit kanë depërtuar nëpër qarqet konservatore tash e disa dekada, por janë duke dalë në pah tani kur ndjesia kundër imigracionit është në rritje dhe kur Gjykata Supreme anon nga e djathta, thotë Rathod.
“Administrata po i shfrytëzon këto argumente, sepse mendon se ka mundësi për ta ndryshuar ligjin”, sipas tij.