Rubio: Paqja në botë është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara

Amerika

Rubio: Paqja në botë është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara

Më: 22 janar 2025 Në ora: 16:11
Foto nga takimi

Në ditën e parë në detyrë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u takua me punonjësit e Departamentit të Shtetit e tij dhe foli mbi përparësitë e tij të politikës së jashtme.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Valderas Iglesias, ai u takua edhe me homologët nga vendet aleate të Indo-Paqësorit, që synojnë të kundërshtojnë ambiciet ushtarake dhe ekonomike të Kinës.

Në ditën e tij të parë si Sekretar i Shtetit, ish-Senatori republikan Marco Rubio i tha punonjësve Departamentit të Shtetit se misioni i tyre është të angazhohen për paqen në mbarë botën.

“Pa paqe është e vështirë të jesh një vend i fortë, i begatë dhe në pozitën më të mirë”, tha ai.

Por shmangia e konfliktit do të jetë një vendim strategjik.

“Asnjëherë në dëm të sigurisë sonë kombëtare, të interesit tonë kombëtar dhe vlerave tona thelbësore si komb dhe si popull”, tha Sekretari Rubio.

Ai u takua të martën edhe me ministrat e jashtëm të Indisë, Australisë dhe Japonisë. Të katër vendet i përkasin grupit të sigurisë i njohur si ‘Quad’, një bllok që synon kundërshtimin e ambicieve ekonomike dhe ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.

Takimi i së martës lehtësoi disa shqetësime lidhur me politikën ‘Amerika e Para’ të Presidentit Donald Trump.

“Është një sinjal i qartë se Shtetet e Bashkuara nuk po braktisin aleatët dhe partnerët në rajon sa i përket mënyrës se si do ta kundërshtojnë rritjen e Kinës”, thotë analistja Yun Sun nga Qendra Stimson.

Pekini e cilëson grupin ‘Quad’ si një koncept të Luftës së Ftohtë.

“Sa herë që SHBA rreshtohet me aleatët ose partnerët e saj, kinezët ndihen të izoluar, të kërcënuar dhe akuzojnë Shtetet e Bashkuara për mendësi të Luftës së Ftoftë”, thotë zonja Sun.

Analistja vë në dukje se modernizimi i Kinës dhe zgjerimi i arsenalit të saj ushtarak dhe bërthamor do të shtyjë vendet në atë rajon të forcojnë ushtritë e tyre dhe të kërkojnë përafërim edhe më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat