Ligjvënësja Elise Stefanik, e emëruar nga Presidenti Donald Trump për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në OKB, u përball me pyetjet e senatorëve në seancën e saj të konfirmimit në Senat të martën. Republikania e rangut të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve u tha ligjvënësve se ajo do të zbatonte axhendën e Presidentit Trump "Amerika e Para" në OKB.
Ligjvënësja Elise Stefanik, e emëruar nga Presidenti Trump për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në OKB, bëri thirrje për llogaridhënie të martën.
“OKB-ja nuk e ka përmbushur misionin për të cilin është themeluar dhe ne duhet të kërkojmë një punë më të mirë në këtë drejtim. Unë ndaj vizionin e Presidentit Trump për një OKB të reformuar bazuar në axhendën “Amerika e Para”, të paqes përmes forcës dhe të kthehemi në këtë mision themelues të nxitjes së paqes dhe sigurisë në mbarë botën”, tha ajo .
Zonja Stefanik u zgjodh në Kongres në vitin 2014 në moshën 30-vjeçare dhe u ngrit në rangun e udhëheqëses së katërt më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve. Senatorët republikanë thonë se vendosmëria dhe udhëheqja e qëndrueshme e zonjës Stefanik e bëjnë atë një kandidate të duhur për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara në OKB.
“Në OKB, një organ që ka për qëllim të avancojë vlerat e paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, shumë prej nesh nuk po shohim një pasqyrim të vlerave amerikane. Ne shohim antisemitizëm të shfrenuar kundër shtetit të vetëm hebre në botë, pasi ai përballet me sulme nga të gjitha drejtimet. Ne jemi duke parë shtypje dhe ngritje të autokratëve agresiv në pozita udhëheqëse”, tha senatorja republikane Shelley Moore Capito.
Zonja Stefanik u tha senatorëve se përvoja e saj në Kongres do të informojë qasjen e saj si ambasadore.
“Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi financiar më i madh në OKB deri më tani. Dollarët e taksapaguesve tanë nuk duhet të përdoren për mbështetjen e subjekteve që punojnë kundër interesave amerikane, antisemitizmin, korrupsionin apo terrorizmin. Ne duhet të investojmë në programe që forcojnë sigurinë tonë kombëtare, japin rezultate dhe rrisin efikasitetin e programeve të OKB-së", tha ajo.
Senatori Jim Risch, republikani i rangut më të lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë ishte dakord me komentet e saj.
"Mendoj se është e arsyeshme të vlerësohet çdo agjenci e OKB-së për të mësuar nëse ato janë të dobishme për Amerikën dhe për t'i mbajtur përgjegjëse", tha ai.
Zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq shprehu kundërshtimin ndaj këtyre pohimeve të martën.
“Shtetet e Bashkuara kanë si detyrim të paguajnë 1.5 miliardë dollarë për buxhetin e rregullt të OKB-së. Nëse përfshihet buxheti për paqeruajtësit dhe gjykatat, shuma totale që ato u detyrohen këtyre tre entiteve arrin në 2.8 miliardë dollarë”, tha ai.
Një analist i tha Zërit të Amerikës se mund të jetë e vështirë për Shtetet e Bashuara që të ndryshojnë organizatën 80-vjeçare.
“Në disa nga institutet më të vogla, ne jemi donatori më i madh i OKB-së. Pra, ekziston mundësia e kushtëzimit të një pjese të ndihmave. Por në të kaluarën, ndikimi ynë për të nxitur ndryshime të vogla në këto institucione përmes kushtëzimit të ndihmave ka qenë i kufizuar” , tha John Fortier nga Instituti “American Enterprise”.
Demokratët janë të shqetësuar për veprimet e kaluara të ish ligjvënëses Stefanik.
"Ju keni votuar për ndërprerjen e fondeve për OKB-në dhe agjencitë e saj. Sigurisht, unë jam dakord që OKB-ja nuk është një organ i përsosur, por OKB-ja gjithashtu shërben si një zgjatim i parave të taksapaguesve amerikanë. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga OKB-ja është një dëshirë e armiqve tanë, veçanërisht Rusisë dhe Kinës”, tha senatorja demokrate Jeanne Shaheen.
Nëse konfirmohet, Elise Stefanik do të bëhej ambasadorja e 32-të e Shteteve të Bashkuara në OKB./VOA