Fokusi i Presidentit Trump në Groenlandë për shkak të militarizimit të rajonit nga Rusia

Amerika

Fokusi i Presidentit Trump në Groenlandë për shkak të militarizimit të rajonit nga Rusia

Më: 24 janar 2025 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti këtë javë bindjen e tij se vendosja e Groenlandës nën kontrollin e Amerikës është jetike për sigurinë ndërkombëtare. Komentet e tij kanë alarmuar Danimarkën, të cilës i përket ky ishull i Arktikut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Kopenhaga e pranon se nuk ka investuar për sigurinë e Groenlandës, ndërsa është shtuar kërcënimi nga Rusia dhe Kina.

Në kryeqytetin Nuuk, Komanda Arktike e Danimarkës mbikëqyr sigurinë e Groenlandës nga një objekt i vogël ushtarak, për një territor me sipërfaqe të madhe prej 2.1 milionë kilometrash katrorë.

Mbi kryeqytetin e qarkuar nga ngrica, po ngrihen tashmë retë e tensioneve gjeopolitike.

Shtetet e Bashkuara mendojnë se Groenlanda ka rëndësisë strategjike jetike.

“Trajektorja më e shkurtër për raketat ruse drejt Shteteve të Bashkuara është nga Poli i Veriut, nëpërmjet Groenlandës”, thotë Marc Jacobsen, nga Kolegji Mbretëror Danez i Mbrojtjes.

Presidenti Trump dëshiron marrjen e Groenlandës nga Danimarka, duke e akuzuar Kopenhagën se ka dështuar në sigurimin e ishullit.

“Anijet ruse janë gjithandej. Po kështu edhe anijet kineze – anije luftarake. Dhe Danimarka nuk e mban dot”, tha Presidenti Trump.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Danimarka mban në Groenlandë katër anije patrullimi të vjetëruara, një avion për mbikëqyrje dhe patrulla me slita të tërhequra nga qentë. Kopenhaga synon të investojë për dronë të rinj, anije dhe personel, si dhe përmirësimin e një baze ajrore për të mirëpritur avionët e rinj luftarakë F-35. Por, ministrat danezë i pranojnë dështimet e deritanishme.

“Kemi neglizhuar për shumë vite që të bëjmë investimet e nevojshme për anijet tona, avionët që do të ndihmojnë për monitorimin e mbretërisë, dhe kjo është ajo për të cilën po përpiqemi të bëjmë diçka tashmë”, tha ministri danez i Mbrojtes, Troels Lund Poulsen.

Ushtria amerikane ka qenë e pranishme në Groenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore. Baza e saj Pituffik ka një personel prej rreth 200 ushtarakësh që menaxhojnë sisteme paralajmërimi për raketat, sisteme për mbikëqyrjen e mbrojtjes dhe të hapësirës.

“Pikëpyetja e madhe është nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të rrisin praninë, ndoshta për të patur mundësinë për të bërë operacione të tjera ushtarake në atë zonë. Qeveria daneze po përpiqet ta zbërthejë domethënien e termit “kontroll” që përdor Trump-i, pasi është një term shumë i paqartë. Çfarë do të thotë kontroll?A do të thotë zotërim i një pjese të territorit? Apo do të thotë që të kesh një numër të caktuar pajisjesh ushtarake në atë territor?”, thotë Jon Rahbek-Clemmensen, nga Kolegji Mbretëror Danez i Mbrojtjes.

Rusia ndërkohë ka investuar shumë për praninë e saj ushtarake në Arktik. Në bazën e saj ajrore Nagurskoye gjenden madje avionë bombardues strategjikë që mund të mbartin armatim bërthamor, raketa, si dhe sisteme mbikëqyrjeje.

Anijet bërthamore ruse patrullojnë në ujërat e detit Arktik, ndërkohë që një flotë në rritje anijesh akullthyese, që funksionojnë me energji bërthamore, shërbejnë si një projektim i fuqisë së Kremlinit në këtë rajon.

“Ka padyshim kërcënime, në veçanti nga kapacitetet ushtarake të Rusisë në atë rajon. Dhe vendet e NATO-s po përpiqen tashmë të rrisin kapacitetet e tyre”, thotë zoti Rahbek-Clemmensen.

Përpara inaugurimit të Presidentit Trump, ambasada amerikane në Danimarkë tha se nuk ka ndonjë plan për të zgjeruar praninë ushtarake amerikane në Groenlandë.

Kjo mund të ndryshojë me administratën e re amerikane.

Danimarka dhe Groenlanda po përgatiten për furtunën politike në horizont./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat