Meksika refuzon fluturimin ushtarak amerikan për deportimin e emigrantëve

Amerika

Meksika refuzon fluturimin ushtarak amerikan për deportimin e emigrantëve

Më: 25 janar 2025 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Meksika ka refuzuar një kërkesë nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për të lejuar një aeroplan ushtarak amerikan që deporton emigrantët të zbarkojë në vend, ka njoftuar një zyrtar amerikan dhe një zyrtar meksikan.

Aeroplanët ushtarakë amerikanë kryen dy fluturime të ngjashme, secili me rreth 80 emigrantë, drejt Guatemalës të premten.

Megjithatë, qeveria nuk ishte në gjendje të ecë përpara me një plan për të ulur një aeroplan transporti C-17 në Meksikë, pasi vendi refuzoi lejen.

Një zyrtar amerikan dhe një zyrtar meksikan konfirmuan vendimin, i cili u raportua fillimisht nga NBC News.

Ndërkoëh, Ministria e Jashtme e Meksikës, në një deklaratë të premten vonë, tha se vendi kishte një “marrëdhënie shumë të shkëlqyer” me SHBA-në dhe bashkëpunon për çështje të tilla si emigracioni.

“Kur bëhet fjalë për riatdhesimet, ne gjithmonë do të pranojmë ardhjen e meksikanëve në territorin tonë krahëhapur”, tha ministria.

Zyrtari meksikan nuk dha një arsye për refuzimin e lejes për ulje, ndërsa ministria nuk e përmendi incidentin, shkruan Reuters.

Administrata e Trumpit në fillim të kësaj jave njoftoi se po rifillonte programin e njohur si “Remain in Mexico”, i cili detyroi azilkërkuesit jo meksikanë të prisnin në Meksikë derisa të zgjidheshin çështjet e tyre në SHBA.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se një veprim i tillë do të kërkonte që vendi që pranon azilkërkuesit të binte dakord dhe se Meksika nuk e kishte bërë këtë.

Ndryshe, marrëdhëniet SHBA-Meksikë janë vënë në fokus që kur Trump filloi mandatin e tij të dytë me shpalljen e një emergjence kombëtare përgjatë kufirit të përbashkët të dy vendeve.

Ai ka dërguar 1500 trupa shtesë amerikane atje deri më tani dhe zyrtarët kanë thënë se mijëra të tjerë mund të vendosen së shpejti.

Presidenti i ka shpallur kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste, e ka riemëruar Gjirin e Meksikës si Gjiri i Amerikës dhe ka kërcënuar me një tarifë prej 25% për mallrat meksikane duke filluar nga shkurti.

Sheinbaum ka kërkuar të shmangë përshkallëzimin e situatës dhe ka shprehur hapjen ndaj akomodimit të shtetasve meksikanë që janë kthyer.

Por liderja e majtë ka thënë gjithashtu se nuk pajtohet me dëbimet masive dhe se emigrantët meksikanë janë jetik për ekonominë amerikane.

E përdorimi i aeroplanëve ushtarakë amerikanë për të kryer fluturime deportimi është pjesë e përgjigjes së Pentagonit ndaj deklaratës së emergjencës kombëtare të Trumpit.

Në të kaluarën, aeroplanët ushtarakë amerikanë janë përdorur për të zhvendosur individë nga një vend në tjetrin, si gjatë tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani në vitin 2021.

Pentagoni ka deklaruar se ushtria amerikane do të sigurojë fluturime për të dëbuar më shumë se 5,000 emigrantë të mbajtur nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas dhe San Diego, Kaliforni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat