Presidenti Trump njofton se planifikon të dërgojë emigrantët e paligjshëm në Guantanamo

Amerika

Presidenti Trump njofton se planifikon të dërgojë emigrantët e paligjshëm në Guantanamo

Më: 29 janar 2025 Në ora: 23:32
President Donald Trump pasi nënshkroi në ligj Aktin 'Laken Riley', në Shtëpinë e Bardhë. 29 Janar, 2025

Presidenti Donald Trump njoftoi se po urdhëron hapjen e një qendre paraburgimi në Gjirin e Guntanamos, për të mbajtur deri në 30 mijë emigrantë që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Baza ushtarake amerikane në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, është përdorur për të burgosurit që janë dënuar në kuadër të luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorrizmit.

“Do t’i dërgojmë në Guantanamo”, tha Presidenti në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk dha më tepër hollësi.

Zoti Trump e bëri njoftimin pak para se të nënshkruante në ligj, projektligjin e miratuar nga Kongresi për ndalimin e imigrantëve padokumente, të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme. Ky është ligji i parë i nënshkruar nga Presidenti.

Projektligji njihet si Akti Laken Riley, studentja e infermierisë nga Xhorxhia, e cila u vra vitin e kaluar nga një shtetas venezuelian, që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Trump e cilësoi si “një ligj historik” dhe “nderim të jashtëzakoshëm” për studenten.

Ligji parashikon që personat që gjenden në mënyrë të jashtëligjshme në SHBA dhe që akuzohen për vjedhje dhe krime të dhunshme të ndalohen dhe potencialisht të deportohen, madje edhe para se të dënohen.

Laken Riley, 22 vjeç ishte duke bërë vrap më 22 shkurt dhe u vra nga Jose Antonio Ibarra, një shtetas nga Venezuela që kishte hyrë në SHBA në mënyrë të paligjshme. Ibarra u shpall fajtor në nëntor dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

“Ajo ishte një dritë ngrohtësie dhe mirësie", tha Presidenti Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ku ishin të pranishëm prindërit dhe motra e studentes së vrarë. “Është një nderim i jashtëzakonshëm për vajzën tuaj ajo që po ndodh sot, kjo është gjithçka që mund të them”, tha zoti Trup duke shtuar se sot po firmosej një ligj historik që do të shpëtojë shumë jetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat