Sekretari Rubio turne diplomatik në Amerikën Qendrore në mbështje të politikës “Amerika e Para”

Amerika

Sekretari Rubio turne diplomatik në Amerikën Qendrore në mbështje të politikës “Amerika e Para”

Më: 31 janar 2025 Në ora: 20:30
Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të nisë udhëtimin e tij të parë zyrtar si kryediplomat, me vizita të planifikuara në Panama, El Salvador, Kosta Rika, Guatemalë dhe Republikën Domenikane nga e shtuna deri të enjten.

Sekretari Rubio pritet të takohet me Presidentin panamez Jose Raul Mulino, Presidentin e El Salvadorit Nayib Bukele, Presidentin e Kosta Rikës Rodrigo Chaves, Presidentin e Guatemalës Bernardo Arévalo si dhe Presidentin e Republikës Domenikane Luis Abinader.

Kjo shënon herën e parë në më shumë se 100 vjet, që vizita e parë zyrtare e një sekretari shteti jashtë vendit bëhet në Amerikën Latine, sipas të dërguarit të posaçëm amerikan për Amerikën Latine, Mauricio Claver-Carone.

Zyrtarët dhe ekspertët thonë se takimet kanë pjesërisht për qëllim të kundërshtojë ndikimin në rritje të Kinës në rajon.

Udhëtimi vjen ndërsa Presidenti Donald Trump ka thënë se do që SHBA të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe teksa Uashingtoni po intensifikon përpjekjet për të frenuar imigrimin e paligjshëm.

“Takimet e Sekretarit Rubio me zyrtarë të lartë dhe drejtues biznesesh do të nxisin bashkëpunimin rajonal duke u shërbyer interesave tona thelbësore e të përbashkëta si: ndalimi i imigracionit të paligjshëm dhe në shkallë të gjerë, lufta ndaj plagës që shkaktojnë organizatat kriminale ndërkombëtare e trafikantët e drogës, kundërpërgjigja ndaj sfidave që paraqet Kina si dhe thellimi i partneritetit ekonomik për të rritur begatinë në hemisferën tonë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce në një deklaratë të premten.

Presidenti Trump thotë se Kina kontrollon Kanalin e Panamasë, një korridor jetik tregtar që lidh oqeanin Atlantik me atë Paqësor. Por Panamaja e ka hedhur poshtë një gjë të tillë duke këmbëngulur se e menaxhon në mënyrë të paanshme të gjithë trafikun detar që kalon përmes kanalit.

Të enjten, Sekretari Rubio tha se Kina mund të bllokojë potencialisht hyrjen në kanal në rast të një konflikti.

“Nëse qeveria në Kinë, në rast të një konflikti u thotë atyre të mbyllin Kanalin e Panamasë, ata do ta bëjnë këtë. Dhe në fakt, nuk kam asnjë dyshim se ata kanë një plan emergjence për ta bërë një gjë të tillë. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë", tha Sekretari Rubio gjatë një interviste për ‘SiriusXM Radio’.

Presidenti panamez Jose Raul Mulino përjashtoi mundësinë se mund të diskutojë me sekretarin amerikan mbi kontrollin e kanalit.

"Nuk mund të negocioj dhe aq më pak të hap një proces negociatash për kanalin", u tha ai gazetarëve të enjten. "Ky (diskutim) është i mbyllur. Kanali i përket Panamasë", shtoi ai.

Disa analistë thonë se Kina ka përdorur taktika ekonomike dhe joekonomike në të gjithë hemisferën perëndimore për të zgjeruar ndikimin e saj, duke shkaktuar shqetësime mbi sigurinë kombëtare.

"Ata mund të mendojnë se ajo çka po marrin janë më shumë investime kineze në vend, por shumë shpejt do të detyrohen ose të nxiten të nënshkruajnë iniciativën e Pekinit 'Brez një Rrugë’, apo të nënshkruajnë një marrëveshje tjetër që i bën Pekinit lëshime në fushën e telekomunikacionin”, tha gjatë një tryeze të enjten të zhvilluar online, Ryan Berg, drejtor i Programit për Amerikanët në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Iniciativa ‘Një Brez një Rrugë’ është një projekt masiv infrastrukturor i nisur nga Kina në vitin 2013, nën Presidentin Xi Jinping, që synon të lidhë kontinente të shumta përmes korridoreve tokësore e detare.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar mbi rrezikun që paraqet projekti që siç thotë Uashingtoni “ushqehet nga misioni i Kinës për të manipuluar dhe minuar sistemin tregtar global të bazuar në rregulla, me qëllim përfitimin”.

Investimet direkte të Kinës në Amerikën Latine dhe Karaibe janë rritur ndjeshëm, thotë zoti Berg, duke përmendur rreth 160 miliardë dollarë gjatë 15 viteve të fundit.

"Nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, shumë nga projektet ekonomike të Kinës janë në thelb ambicie ushtarake që ato po i ofrojnë në Amerikën Latine", tha Joseph Humire, drejtor ekzekutiv i qendrës për një Shoqëri të Sigurtë e të Lirë, një trajton çështje të sigurisë kombëtare.

“Kina ka qenë në Panama për më shumë se 20 vjet, por Kina me të vërtetë u aktivizua politikisht në Panama pas vitit 2017”, kur Panamaja nënshkroi iniciativën ‘Një Brez një Rrugë’ dhe e zhvendosi njohjen e saj diplomatike nga Tajvani tek Republika Popullore të Kinës, tha zoti Humire. Ai shton se ekonomia e Panamasë ka rënë në vitet e fundit.

Të gjitha vendet që do të vizitojë Sekretari i Shtetit Rubio mbajnë lidhje diplomatike me Kubën dhe Venezuelën.

Duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara të Shteteve të Bashkuara me këto dy vende që nuk pranojnë imigrantë të dëbuar, Sekretari Rubio mund ta përdorë udhëtimin e tij për të mbështetur marrëveshjet me "vendet e treta" që pranojnë imigrantë të dëbuar nga Uashingtoni.

Për më tepër, ai mund të negociojë për një numër më të madh fluturimesh me imigrantë që riatdhesohen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat