Një avion ambulancë me në bord një paciente, nënën e saj dhe 4 anëtarë ekuipazhi u rrëzua në Filadelfia të premten rreth 30 sekonda pasi ishte ngritur në ajër. Kompania “Jet Rescue Air Ambulance”, që po operonte fluturimin e avionit ambulancë të tipit “Learjet 55” tha përmes një deklarate se “nuk mund të konfirmonte asnjë të mbijetuar”. Të 6 personat në bord ishin nga Meksika.
Avioni shpërtheu në flakë duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Autoritetet njoftojnë për të paktën 6 të plagosur në zonën ku ra avioni. Tre prej tyre kanë dalë nga spitali.
Kompania “Jet Rescue Air Ambulance” me seli në Meksikë dhe e licencuar për të operuara në Shtetet e Bashkuara tha se në bord gjendeshin 4 anëtarë të ekuipazhit, një paciente dhe nëna e saj.
Pacientja kishte ardhur nga Meksika për t’u kuruar për një sëmundje që i rrezikonte jetën dhe po transportohej për në shtëpi. Destinacioni i avionit ishte qyteti Tijuana në Meksikë.
Shpërthimi ndodhi rreth më pak se 5 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit.
Avioni i tipit “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri ku do të furnizohej me lëndë djegëse.
“Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte. Pas pak pamë shtëllungën e madhe të tymit”, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.
Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me tre ushtarë në bord.
Nuk pati asnjë të mbijetuar nga ky aksident./VOA