Shumica e njerëzve përballen me agjentë doganorë dhe të mbrojtjes kufitare kur hyjnë në Shtetet e Bashkuara, qoftë përmes kufijve tokësorë, apo në aeroporte. Këta agjentë janë gjithashtu përgjegjës për inspektimin e mallrave që largohen nga vendi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, njofton nga Porti i Baltimorës mbi dukurinë e kontrabandës së një numri të konsiderueshëm të automjeteve të vjedhura amerikane.
Agjencia amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare ka një detyrë pothuajse të pamundur – kapjen e të gjitha makinave të vjedhura që largohen nga vendi.
Drejtori i Doganës në Portin e Balitmorës thotë për Zërin e Amerikës se qindra makina të vjedhura që oficerët zbulojnë çdo vit, kanë kryesisht një destinacion.
“Do të thoja se 90-95 për qind e automjeteve të vjedhura nisen drejt Afrikës Perëndimore”, thotë ai.
Vjedhja e automjeteve është një problem në rritje në Shtetet e Bashkuara, sipas profesorit të kriminalistikës në Universitetin e Majamit, Alex Piquero.
“Ka njerëz që vjedhin makina dhe pjesë makinash për shitje të shpejta në tregjet lokale. Ka të tjerë që makinat e vjedhura i transportojnë jashtë dhe i shesin në të gjithë botën, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Lindjen e Mesme dhe në Azi”, thotë ai.
Agjentët doganorë përdorin skanera gjigandë për të kontrolluar kontenierët, duke ndaluar dhe hapur ata që janë të dyshimtë.
Dokumenti i ngarkesës së këtij kontenieri nuk përmban makina, thotë zoti Rottman.
“Aty supozohet të kishte vetëm sende shtëpiake, por në këtë rast, në këtë kontenier ka tre apo katër makina”.
“Ky Mercedes-Benz i vitit 2021, me vlerë prej 48 mijë dollarësh, është blerë me një identitet të rremë në Ohajo. Makina u kap në Merilend. Destinacioni i saj ishte shteti i Togos në Afrikën Perëndimore”.
“Këtë kontenier e hapëm sot. Ky automjet këtu, Honda, sa e kemi verifikuar përmes numrit të shasisë që është i vjedhur. Pas saj, ka edhe dy makina të tjera”, shpjegon zoti Rottman për Zërin e Amerikës.
Zbatuesit e ligjit thonë se kriminelët në shumë raste marrin makina me qira për një periudhë 30-ditore dhe i fusin në kontenierë pasi të mbulojnë numrin real të shasisë me një numër të rremë identifikimi.
Makina nuk raportohet si e vjedhur për një muaj. Kur raportohet, ajo mund të jetë në një anije, në mes të oqeanit. Ekipi i zotit Rottman shpreson të kapë makina të tilla para se ato të përfundojnë në anije.
“Numri identifikues nuk përputhet me makinën”, thotë zoti Rottman.
Autoritetet në disa vende afrikane po punojnë me Interpolin në përpjekje për të sekuestruar automjetet e vjedhura që kanë arritur të kalojnë kontrollet doganore në Shtetet e Bashkuara. Por ky bashkëpunim është i paqëndrueshëm, thotë profesori Piquero.
“Disa qeveri janë më bashkëpunuese, disa jo dhe është e pamundur të kontrollosh çdo kontenier. Prandaj siguria në port është kaq e rëndësishme”, thotë ai.
Me kaq shumë njerëz të interesuar për të blerë një makinë të përdorur, nganjëherë pa bërë shumë pyetje, nuk pritet që përpjekjet për kontrabandimin e automjeteve të vjedhura të shënojnë rënie.