Aeroplani i parë ushtarak amerikan që do të transportojë migrantët e ndaluar në Gjirin e Guantanamos pritet të niset të martën, thanë zyrtarët amerikanë, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump përgatitet të strehojë dhjetëra mijëra migrantë në bazën ushtarake në Kubë.
Trump tha se dëshiron që Pentagoni dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare të zgjerojnë një strukturë ndalimi për migrantët në bazën ushtarake për të mbajtur më shumë se 30 mijë migrantë.
Një zyrtar, që foli në kushte anonimiteti, tha se fluturimi do të transportonte pothuajse një duzinë migrantësh. Fluturimet ushtarake tashmë kanë deportuar migrantë në Guatemalë, Peru, Honduras dhe Indi.
Pentagoni ka thënë se planifikon të deponojë më shumë se 5000 migrantë që mbahen nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas dhe San Diego, Kaliforni. Fluturimet ushtarake janë një mënyrë e shtrenjtë për të transportuar migrantët.
Reuters raportoi se një fluturim ushtarak deportimi në Guatemalë javën e kaluar mund të ketë kushtuar të paktën 4675 dollarë për migrant.
Trump ka filluar të kthehet gjithnjë e më shumë te ushtria për të ndihmuar në realizimin e programit të imigracionit, duke përfshirë dërgimin e trupave shtesë në kufi, përdorimin e aeroplanëve ushtarakë për të transportuar migrantët jashtë Shteteve të Bashkuara dhe hapjen e bazave ushtarake për t’i strehuar ata.
Drejtori i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Kristi Noem, tha të dielën se nuk mund të konfirmonte nëse gratë, fëmijët ose familjet e migrantëve do të mbaheshin në qendrën e ndalimit të Guantanamos. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se plani nuk ishte që të mbaheshin njerëzit në Guantanamo për një periudhë të pacaktuar dhe se administrata do të ndjekë ligjin amerikan.
Baza tashmë ka një strukturë ndalimi për migrantët – të ndarë nga burgu i lartë i sigurisë për të dyshuarit për terrorizëm të huaj – që është përdorur herë pas here për dekada, përfshirë për të mbajtur haitianët dhe kubanët e kapur në det.
Administrata nuk ka thënë sa do të kushtojë zgjerimi i Guantanamos, që u krijua në vitin 2002 për të ndaluar militantët e huaj pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.