Kryeministri japonez Shigeru Ishiba do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara këtë javë, deklaroi zëdhënësi i qeverisë Yoshimasa Hayashi.
“Nëse kushtet e lejojnë, Ishiba do të vizitojë Shtetet e Bashkuara nga data 6 deri më 8 shkurt dhe do të takohet me Presidentin Trump në Uashington. Përmes kësaj vizite, ne shpresojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të fortë besimi me administratën e re amerikane dhe të përmirësojmë aleancën midis SHBA-së dhe Japonisë” tha ai.
Shigeru Ishiba pati një bisedë të shkurtër telefonike nëntorin e kaluar me Trump, i cili ende nuk ishte betuar si president dhe kërkoi ta takonte atë në janar përpara se të merrte detyrat presidenciale. Por takimi nuk u realizua.
Javën e kaluar, Shigeru Ishiba theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në për stabilitetin rajonal.
Japonia dhe SHBA janë aleatët kryesorë të mbrojtjes, dhe investitorët kryesorë të huaj të njëri-tjetrit.