SHBA dëbon emigrantët e paligjshëm indianë, dërgohen me avion ushtarak në Punjab

Amerika

SHBA dëbon emigrantët e paligjshëm indianë, dërgohen me avion ushtarak në Punjab

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 21:48
Një avion ushtarak amerikan që dëbon emigrantë indianë ulet në Amritsar, Indi, 5 shkurt 2025.

Një avion ushtarak me shtetas indianë të akuzuar se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA, arriti në Punjab, në veri të Indisë, të mërkurën. Ky ishte fluturimi i parë i tillë në Indi që kur administrata e Presidentit Trump nisi goditjen ndaj emigrantëve pa dokumente.

Sipas raportimeve të mediave, avioni ushtarak, i cili u ul nën masa të rrepta sigurie, mbante 104 të dëbuar. Autoritetet nuk e konfirmuan numrin, por thanë se të dëbuarit do të priten në mënyrë miqësore.

Nju Delhi, i cili nuk dëshiron ta kthejë emigracionin e paligjshëm në një çështje të debatueshme me Uashingtonin, ka thënë se është i hapur për kthimin e indianëve pa dokumente nga Shtetet e Bashkuara, nëse verifikohet kombësia e tyre.

Presidenti Donald Trump tha javën e kaluar se kryeministri indian Narendra Modi e kishte siguruar se vendi i tij do të "bënte atë që është e drejtë" për marrjen e emigrantëve e paligjshëm. Presidenti e bëri deklaratën pas një bisede telefonike me kryeministrin Modi.

Në Nju Delhi, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Randhir Jaiswal tha në një konferencë për shtypin të premten se India dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një proces për frenimim e emigracionit të paligjshëm dhe "se bashkëpunimi në këtë fushë mes Indisë dhe SHBA-së është i fortë dhe efektiv. Kjo do të jetë e dukshme në periudhën në vijim”, tha ai.

Në një takim që mund të mbahet javën e ardhshme mes zotit Trump dhe zotit Modi, tregtia dhe emigracioni janë ndër çështjet kryesore që pritet të bisedohen.

“India nuk dëshiron të fokusohet në çështjen e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm. Interesi i qeverisë është të sigurojë që kanalet e emigracionit të ligjshëm në SHBA për shtetasit indianë të mos kufizohen nga administrata Trump,” thotë Manoj Joshi, bashkëpunëtor në Fondacionin Kërkimor Observer në Nju Delhi.

Këto rrugë ligjore janë vizat H-1B për punëtorët e kualifikuar dhe vizat për studentët.

“Të dyja palët janë të angazhuara për të penguar emigracionin e paligjshëm, duke krijuar gjithashtu më shumë mundësi për emigracionin e ligjshëm të qytetarëve indianë në SHBA”, është shprehur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Randhir Jaiswal.

Numri i emigrantëve indianë që përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA është rritur vitet e fundit. India zë vendin më të madh të emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara nga vendet aziatike, sipas të dhënave të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, numri i tyre i përgjithshëm është ende i vogël. Indianët përbëjnë vetëm rreth 3 për qind të kalimeve të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar rreth 18,000 emigrantë indianë pa dokumente që do të kthehen në shtëpi, sipas një raporti të agjencisë Bloomberg javën e kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat