Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara gjenden mes paqartësisë dhe panikut, pasi javën e kaluar administrata e presidentit Donald Trump lëshoi urdhrin për ngrirjen e miliarda dollarëve që do të përdoreshin për kërkimin shkencor.
Grantet dhe huatë e planifikuara u pezulluan nga administrata e re brenda dy ditësh, megjithatë mijëra programe shkencore të financuara nga qeveria do të vijojnë. Me pezullim të kërkimit shkencor u përball edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH).
NIH është instituti bio-mjekësor më i madh në botë, i cili shpenzon më shumë se 40 miliardë dollarë në vit (38.7 miliardë euro) për kërkimet mbi shëndetin. Ai u jep fonde më shumë se 300 mijë kërkuesve shkencorë në mbi 2.500 universitete dhe institute të tjera kërkimore, kryesisht në Shtetet e Bashkuara.
Nga frika se mos fondet e NIH mund ta pësojnë akoma më keq nëse flet kundër vendimeve të administratës së Trump, një shkencëtar nga universiteti i Harvardit foli për DW në kushtet e anonimatit.
"Është lëmsh, vërtet e frikshme. Është kërcënim ndaj lirisë akademike. Shumë shkencëtarë dhe teknicienë i ka kapur paniku dhe nuk e dinë më nëse kanë të ardhme në fushën e hulumtimit” – thotë burimi.
Kenneth Evans, ekspert i politikave publike të shkencës dhe teknologjisë në universitetin e Rice në Texas, thotë se administrata e Trump i ka shndërruar SHBA-të në "vend armiqësor për studiuesit”.
"Nuk ka lajm të mirë për shkencën amerikane. Të përzier me sulmet ndaj nëpunësve publikë, mijëra prej të cilëve janë shkencëtarë, administrata Trump e ka shndërruar vendin në armiqësor për shkencën dhe kërkuesit” – thotë ai.
Ndikim afatgjatë ndaj shkencës amerikane
Ngrirja e fondeve erdhi në një paketë urdhrash ekzekutivë të firmosur nga presidenti Trump më 27 janar.
Urdhrat e rinj janë të hartuar në mënyrë të tillë që të ndryshojnë rëndësinë e dhjetëra çështjeve shkencore, përfshi këtu klimën dhe shëndetin publik. Ato kanë gjithashtu si qëllim të shkurtojnë fuqinë punëtore të qeverisë, mes tyre edhe shkencëtarët.
Teksa një urdhër federal i datës 21 janar i porosiste agjencitë që të rinisnin shpenzimet, urdhri i fundit do të ketë një ndikim të dëmshëm në planin afatgjatë, thotë Evans. "Kolegjet dhe universitetet amerikane po lëvizin ngadalë, duke riparë dhe mbyllur programe që mund t'i dalin kundër urdhrave të Trump” – nënvizoi Evans.
Ndërkohë, programet shkencore vijojnë punën kudo nëpër botë. Evans tha se tashmë është e provuar se "studentët dhe shkencëtarët që po vuajnë nga rregullat e reja, po shohin mundësira për edukimin dhe punësimin jashtë vendit”.
"Nëse administrata e Trump dëshiron të forcojnë udhëheqjen amerikane në shkencë dhe teknologji, atëherë urdhrat e reja të tij tregojnë se ai nuk po e merr aq seriozisht sa duhet premtimin që pati bërë” – tha Evans.
'Efikasiteti qeveritar' po dëmton shkencën amerikane
Ngrirja e fondeve çoi në gjendjen pezull të laboratorëve shkencorë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Edhe pse një pjesë e punës iu rikthye normalitetit, mbetet ende e paqartë se cilat grante federale do të mbeten të pabllokuara. Shumë shkencëtarë mbeten ende "në paqartësi”, në pritje për të mësuar nëse do t'i marrin fondet që i kanë fituar. Sipas burimit anonim, veprimet e fundit të administratës Trump kanë vonuar kërkime të rëndësishme në mjekësi dhe shkencë.
"Nevojitet shkencë bazike për të drejtuar të ardhmen e kërkimit dhe teknologjisë. Nëse shkencëtarët nuk i besojnë tokës poshtë këmbëve të tyre, atëherë si mundet që ata ta vijojnë punën?” – tha burimi. "Eksperimentet shkencore planifikohen paraprakisht, me muaj ose vite në avancë. Nëse financimi i këtyre projekteve ndalon ose nuk ecën përpara, do të kishte ndikim mbi vite të tëra pune kërkimore”.
Ashtu si ndëprerja e financimeve të tjera federale, veprimet e administratës së Trump do të kishin ndikim dhe do të kthenin pas në vite edhe përparimin e bërë deri tani në institucionet publike.
"Përfaqësimi në të gjitha fushat kërkimore është problematik, dhe ne po përpiqeshim të përmirësonim diversitetin dhe përfaqësimin më të mirë në botën akademike” – shpjegoi burimi. Qeveria amerikane po rishikon të gjitha programet e financuara nga NIH dhe do të vendosë se cilat do të vijojnë të mbështeten ende.
Si pjesë e këtij rishikimi, agjencive do t'u duhet t'u përgjigjen një sërë pyetjesh për secilin program, përfshirë pyetjes nëse programi financon diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI), emigrantët apo përfshin referenca gjinore që janë të ndaluara me urdhrat e fundit ekzekutivë.
Çfarë duhet të presë tjetër shkenca amerikane?
Evans thotë se ai është i shqetësuar rreth të ardhmes afatgjatë të institucioneve shkencore amerikane, si shtylla të "fuqisë së butë” të vendit në shkallë botërore. "Agjencitë federale shkencore, në veçanti NSF (Fondacioni Kombëtar Shkencor) dhe NIH, janë standardi botëror, kampionë të mbështetjes së kërkimit dhe inovacionit” – tha ai.
"Tërheqja e Trumpit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Marrëveshja e Parisit i shtojnë benzinë këtij zjarri, duke hapur një dritare për "hambarët” e tjerë të shkencës, në veçanti në Europë dhe Kinë, dhe u lejon atyre të udhëheqin në fushat e shëndetit publik dhe inovacionit të klimës”.
Sipas Evans, shkenca meriton një "vend në tryezë” nëse do të jetë në gjendje t'u mbijetojë reformave agresive të administratës së re.
Komuniteti shkencor i ka varur shpresat tek Michael Kratsios, i përzgjedhuri i Trump për të drejtuar Politikat e Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë, emër i cili është në pritje të miratimit nga Senati.
"Nëse zëri i tij do të mbytet nga ndjekësit e Elon Musk dhe ‘skifterët' e buxhetit, atëherë katër vitet e ardhshme do të vënë në provë kufijtë e dëmit që do të përjetojë shkenca amerikane para se të mbërrijë tek popujt që e mikpresin dhe e mbështesin atë më shumë” – përfundon Evans./DW