Personi kryesor i caktuar nga Presidenti Donald Trump për të bërë ndryshime të shpejta në agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara është Elon Musk-u, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të makinave Tesla dhe kompanisë së hapësirës SpaceX. Ligjvënësit demokratë thonë se përpjekja e miliarderit të mbështetur nga Presidenti Trump për të ulur shpenzimet e qeverisë federale është e gabuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn njofton rreth veprimeve të ndërmarra nga zoti Musk në Uashington.
Një protestë përpara një agjencie federale në Uashington këtë javë u fokusua tek puna e Elon Musk-ut, i caktuar nga Presidenti Donald Trump për zvogëlimin e qeverisë amerikane.
“Populli duhet të vendosë se si i mbrojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Populli duhet të vendosë se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Elon Musk-u nuk mundet ta marrë këtë vendim”, tha senatori demokrat Chris Murphy.
Zoti Musk është personi më i pasur në botë dhe drejtues ekzekutiv i firmës së automjeteve elektrike Tesla dhe kompanisë së hapësirës SpaceX. Ai zotëron edhe kompani të tjera, përfshirë platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter.
Që nga inaugurimi i Presidentit Trump, zoti Musk, si drejtues i Departamentit të sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë, ose DOGE, ka filluar të punojë për të shkurtuar ato, që ai dhe Presidenti Trump, i shohin si programe federale të kushtueshme.
Ekipi i zoti Musk thuhet se ka fituar qasje në sistemet e pagesave të Departamentit të Thesarit dhe ka kërkuar të marrë nën kontroll Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që jep ndihma humanitare dhe ndihma të tjera për mbi 100 vende. Tek selia e USAID-it pati protesta këtë javë.
“Presidenti Trump e udhëzoi mikun e tij miliarder të korruptuar, Elon Musk, që të plaçkiste një agjenci jetike të qeverisë amerikane”, tha ligjvënësi demokrat Don Beyer.
Presidenti Trump përsëriti sidoqoftë mbështetjen e tij për zotin Musk.
“Është diçka për të cilën ai është shumë i angazhuar dhe kjo është mbresëlënëse, pasi ai drejton padyshim një kompani të madhe”, tha Presidenti Trump.
Elon Musk tha se ajo çfarë zbuloi në USAID nuk mund të shpëtohet.
"Ndërsa shqyrtuam USAID-in, u bë e qartë se ajo që kemi këtu nuk është një mollë me një krimb në të, por në fakt kemi vetëm një top me krimba", tha zoti Musk.
Ligjvënësit demokratë e kundërshtojnë këtë dhe thonë se është e gabuar që zoti Musk ka kaq shumë pushtet dhe pak përgjegjësi dhe mbikëqyrje, veçanërisht duke patur parasysh që SpaceX ka kontrata me qeverinë federale.
“Një miliarder i pazgjedhur, i papërgjegjshëm, me konflikte të gjera interesi, lidhje të thella me Kinën dhe që vepron si një armë e papërmbajtur për të goditur armiqtë e perceptuar, po rrëmben sistemet më të rëndësishme të të dhënave financiare të vendit tonë dhe librin e kontabilitetit”, tha senatorja demokrate Patty Murray.
Por Presidenti Trump thotë se Shtëpia e Bardhë po bën mbikëqyrjen e duhur për punën e zotit Musk.
"Aty ku mendojmë se ka një konflikt ose ka një problem, atëherë nuk do ta lëmë të përfshihet... Ne po përpiqemi të zvogëlojmë qeverinë dhe ai ndoshta mund ta tkurrë atë si kushdo tjetër, nëse jo edhe më mirë", tha Presidenti Trump.
Në rolin e tij të papaguar si "punonjës i posaçëm i qeverisë", zotit Musk i lejohet të punojë jo më shumë se 130 ditë në vit.