UASHINGTON - Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) ka nisur hetimet gjatë dy javëve të fundit në tre media dhe ka rikthyer ankesat ndaj tre mediave të tjera.
Në fillim të kësaj jave, kanali televiziv CBS News u pajtua me një kërkesë të FCC-së për të dorëzuar videon origjinale dhe transkriptin nga një intervistë e tetorit me kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris.
Kërkesa e FCC-së për materialin ishte "e pazakontë", thotë Harold Furchtgott-Roth, që shërbeu si komisioner i FCC-së i zgjedhur nga radhët e republikanëve, gjatë administratës së ish-Presidentit Bill Clinton.
"Komisioni zakonisht nuk kërkon transkripte", tha ai.
Kjo intervistë është në epiqendër të një ankese në FCC - dhe një padie prej 10 miliardë dollarësh nga Presidenti Donald Trump - që thotë se kanali CBS e modifikoi intervistën. Kanali CBS mohoi të jetë bërë ndonjë shkelje kur Presidenti Trump ngriti padinë, por kompania e saj mëmë, Paramount, tashmë po shqyrton mundësinë e një zgjidhjeje me marrëveshje, sipas njoftimeve në media.
Ankesa e FCC-së kundër kanalit CBS është një nga katër ankesat që ish-kryetarja e FCC-së Jessica Rosenworcel, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, i refuzoi më herët në janar, duke thënë se ankesat "kërkojnë të keqpërdorin autoritetin licencues të FCC-së në një mënyrë që është thelbësisht në kundërshtim me Amendamentin e Parë".
Pasardhësi i zonjës Rosenworcel, kryetari republikan i emëruar nga Presidenti Trump, Brendan Carr, riktheu ankimimin ndaj kanalit CBS, plus ato ndaj kanaleve NBC dhe ABC. Ai nuk riktheu një padi ndaj kanalit Fox News, të cilën zonja Rosenworcel gjithashtu e kishte refuzuar.
Në një intervistë me kanalin televiziv CNN, zoti Carr mbrojti hetimin për CBS-in.
"Nuk shoh se si FCC-ja mund ta gjykojë në mënyrë të arsyeshme këtë pretendim për shtrembërim të lajmeve, pa parë se çfarë u tha në të vërtetë", tha zoti Carr.
Të mërkurën pasdite, kanali CBS publikoi transkriptet e paredaktuara në faqen e internetit, duke treguar se emisionet "60 Minutes" dhe "Face the Nation" përdorën pjesë paksa të ndryshme të së njëjtës përgjigje nga zonja Harris, një praktikë e zakonshme në gazetari.
Komisionerja demokrate e FCC-së, Anna Gomez, ka thënë se masa kundër CBS-it ishte "projektuar për të ngjallur frikë në stacionet e transmetimit". Të mërkurën, ajo i bëri thirrje FCC-së që "të ndalë këtë ekspeditë peshkimi, për të shmangur politizimin e mëtejshëm të veprimtarisë sonë ligjzbatuese", sepse transkripti dhe pamjet nuk treguan "asnjë provë" që CBS-i dhe bashkëpunëtorët të kishin shkelur rregullat e FCC-së.
Ankesa për "shtrembërim të lajmeve" ndaj kanalit ABC pretendon se verifikimi i fakteve nga moderatorët në debatin parazgjedhor televiziv Harris-Trump, favorizoi zonjën Harris.
Ankesa ndaj NBC-së pretendon se paraqitja e zonjës Harris në emisionin me humor "Saturday Night Live" pak përpara zgjedhjeve, ka shkelur rregullat e "kohës së barabartë" për programet politike. Menjëherë pas kësaj, kanali NBC i dha zotit Trump kohë të barabartë, duke i dhënë atij një shans për t'iu drejtuar drejtpërdrejt votuesve pas garës së makinave NASCAR.
Kanalet ABC, CBS dhe NBC nuk iu përgjigjën email-it të Zërit të Amerikës ku kërkohej koment.
Qendra për të Drejtat Amerikane, e cila paraqiti tre ankesat, i tha Zërit të Amerikës se përshëndeti vendimin e zotit Carr për t'i rihapur çështjet.
"Transmetuesve u kërkohet t'i shërbejnë interesit publik në këmbim të qasjes të tyre në valët publike", tha Daniel Suhr, presidenti i organizatës, në një deklaratë të dërguar me email.
"Fjala e lirë nuk përfshin shtrembërimin e hapur të lajmeve apo shkeljen e rregullave të hershme të komisionit", shtoi zoti Suhr. "Ndjehemi të inkurajuar ndërsa shohim Kryetarin Carr t’i trajtojë këto çështje serioze".
Por Kim Zarkin, profesore e komunikimit në Universitetin Westminster në Utah, e cila e ka studiuar FCC-në për tre dekada, i tha Zërit të Amerikës se beson se tre ankesat nuk kanë ndonjë vlerë, pasi NBC përfundimisht i dha zotit Trump kohë të barabartë dhe ankesat e CBS dhe ABC kanë të bëjnë me përmbajtjen.
"Është ideja që FCC-ja do t’i ndëshkonte organizatat e lajmeve për vendime editoriale", tha ajo. "Kjo sfidon pothuajse të gjithë historikun e FCC-së dhe mënyrën se si FCC-ja shqyrton përmbajtjen".
Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) ka nisur hetime edhe për rrjetet NPR, PBS dhe radiostacionin KCBS me qendër në San Francisko.
"Është e mundur që stacionet anëtare të rrjeteve NPR dhe PBS po transmetojnë njoftime që kalojnë kufirin e reklamave të ndaluara komerciale", shkruajti zoti Carr në një letër më 29 janar, ku u njoftuan hetimet për këto dy media.
FCC-ja nuk qeveris drejtpërdrejt NPR-in, PBS-in ose rrjete të tjera kryesore. Por agjencia e pavarur qeveritare vlerëson veprimet e stacioneve të transmetimit publik në SHBA, që mbajnë licenca të dhëna nga FCC-ja për të përdorur valët e transmetimit publik.
Nëse një hetim i FCC-së zbulon keqbërje, agjencia mund të vendosë gjobë, ose të heqë licencën e transmetimit të një stacioni.
Stacionet e transmetimit publik nuk lejohen të shfaqin reklama, por ato japin mesazhe nga kompani që janë të ngjashme me reklamat, por që nuk përfshijnë një "thirrje për veprim" duke u kërkuar dëgjuesve të bëjnë gjëra të tilla si blerja e një produkti specifik.
Rjetet NPR dhe PBS kanë mohuar të kenë bërë ndonjë shkelje.
Ajo që i ra në sy profesores Zarkin në lidhje me hetimet ndaj NPR-it dhe PBS-it, është se sa të gjera janë ato, tha ajo. Këto lloj hetimesh zakonisht bëhen për stacione të veçanta anëtare dhe i referohen incidenteve specifike, tha ajo, por ky rast nuk është i tillë.
"Ideja se ata po hetojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse NPR-in dhe PBS-in në përgjithësi - kjo nuk është mënyra se si FCC-ja ka vepruar historikisht", tha profesorja Zarkin, e cila ka shkruar dy libra për FCC-në.
Të hënën, ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene ftoi drejtuesit ekzekutivë të rrjeteve NPR dhe PBS të dëshmojnë në një seancë dëgjimore të një nënkomisioni në Kongres, mbi atë që ajo e konsideron "mbulim të njëanshëm sistematik të lajmeve" nga mediat. NPR dhe PBS marrin një sasi të vogël fondesh federale nga Korporata për Transmetimet Publike, e krijuar me legjislacion federal.
Raportimi i tyre duhet t'i "shërbejë të gjithë publikut", tha ligjvënësja Greene, "jo vetëm një grupi të ngushtë individësh me mendime të njëjta".
Në letrën drejtuar rrjeteve NPR dhe PBS, kryetari Carr tha se po e ndante atë me ligjvënësit, sepse mendonte se mund të informonte më mirë në kuadrin e debatit nëse duhet të shkurtohen fondet për këto dy media.
"Nga ana ime, unë nuk shoh një arsye përse Kongresi duhet të vazhdojë të dërgojë dollarë të taksapaguesve tek NPR-i dhe PBS-i duke patur parasysh ndryshimet në tregun e mediave", shkruajti zoti Carr.
Gjatë fushatës, Presidenti Trump kërcënoi se do t'u hiqte licencat transmetuesve nëse zgjidhej. Vala e fundit e hetimeve dhe ankesave në FCC kanë ngritur shqetësime për lirinë e shtypit në radhët e ekspertëve të medias, komisionerëve dhe ish-komisionerëve demokratë të FCC-së.