Lopët e prodhimit të qumështit rezultuan pozitive për një lloj gripi të shpendëve që më parë nuk ishte parë tek këto bagëti, tha të mërkurën Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara (USDA), duke rritur shqetësimet për përhapjen e virusit.
Virusi H5N1 ka ndikuar në uljen e prodhimit të qumështit, ka rritur çmimin e vezëve, ka zhdukur miliona pula dhe ka infektuar afro 70 njerëz që nga prilli, ndërsa është përhapur në të gjithë vendin.
Mostra e qumështit të lopëve nga Nevada identifikoi për herë të parë llojin tjetër të virusit, të njohur si tipi D1.1, tha agjencia USDA. Më parë, të 957 infeksionet e gripit të shpendëve midis tufave të lopëve të raportuara që nga marsi i kaluar ishin shkaktuar nga një lloj tjetër virusi, B3.13, sipas të dhënave të agjencia amerikane e bujqësisë
Agjencia e lajmeve Reuters publikoi lajmin për zbulimin e llojit të dytë të mërkurën përpara njoftimit të agjencisë qeveritare.
Ai u identifikua në bagëti nga një program i agjencisë që filloi testimin e qumështit për gripin e shpendëve në dhjetor.
“Po shohim që virusi H5N1 është më i ‘zgjuar’ se të gjithë ne”, tha Beth Thompson, veterinere zyrtare e Dakotës së Jugut.
“Virusi modifikon vetveten, kështu që nuk qëndron vetëm tek shpendët e butë dhe të egër të ujit. Ai po infekton edhe gjitarët”.
Zogjtë e egër ka të ngjarë të kenë transmetuar llojin e dytë të virusit tek bagëtitë në Nevada, tha J.J. Goicoechea, drejtor i bujqësisë në këtë shtet. Fermerët duhet të rrisin masat e sigurisë për të mbrojtur kafshët e tyre, tha ai.
“Padyshim që nuk po bëjmë gjithçka që mundemi dhe gjithçka që duhet ose virusi nuk do të infektonte lopët e qumështit”, tha ai.
Departamenti i Bujqësisë i Nevadës tha më 31 janar se tufat e bagëtive në dy qarqe ishin vendosur në karantinë për shkak të gjetjes së gripit të shpendëve.
Është e rëndësishme që agjencia federale USDA të ndërmarr masa për të kufizuar përhapjen e virusit në shtet, që të mos përhapet tek bagëtitë diku tjetër, tha veterinerja Gail Hansen.
Vitin e kaluar, gripi i shpendëve u përhap në të gjithë vendin pasi bagëtitë e infektuara në Teksas u dërguan në vende të tjera pasi virusi u transmetua për herë të parë tek lopët nga zogjtë e egër.
“Nuk e kemi patur nën kontroll rastin e kaluar”, tha veterinerja Hansen. “Duam të shmangim përsëritjen e të njëjtit skenar në Nevada”.
Kopetë që ishin të infektuara më parë mund të rrezikohen sërish nga lloji i dytë, thanë ekspertët.
“Tani duket sikur kemi lloje të reja të virusit që mund të shmangin imunitetin që është krijuar ndaj viruseve të tjera dhe situata mund të përkeqësohet”, tha Gregory Grey, profesor i mjekësisë pranë Universitetit të Teksasit që studion sëmundjet e gjedheve.