Trump: Kontrolli financiar nga Elon Musk do të zbulojë abuzime në Pentagon

Amerika

Trump: Kontrolli financiar nga Elon Musk do të zbulojë abuzime në Pentagon

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 20:32
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se pret që Elon Musk të gjejë shpenzime të panevojshme prej miliarda dollarësh dhe abuzime në Pentagon, në kuadër të një kontrolli financiar që do të drejtohet nga sipërmarrësi amerikan

"Do t'i them së shpejti, ndoshta pas 24 orësh, të shkojë të kontrollojë Departamentin e Arsimit. Më pas do kemi në vëmendje ushtrinë. Të shkojmë në ushtri, t’i bëjmë një kontroll financiar ushtrisë", tha zoti Trump në një intervistë me gazetarin Brett Baier të rrjetit Fox News, një pjesë e së cilës u transmetua të dielën në mëngjes.

"Ne do të gjejmë miliarda, qindra miliona dollarë shpenzime të panevojshme dhe abuzime", tha zoti Trump për departamentin më të madh federal.

Pentagoni ka një buxhet prej afro 1 trilion dollarësh në vit. Në dhjetor, presidenti i atëhershëm Joe Biden nënshkroi një projektligj që autorizonte 895 miliardë dollarë shpenzime për mbrojtjen për vitin fiskal që përfundon më 30 shtator.

Zoti Musk, për të cilin Shtëpia e Bardhë thotë se është një punonjës i posaçëm i qeverisë, është ngarkuar nga zoti Trump për të drejtuar një përpjekje për të tkurrur personelin federal të Shteteve të Bashkuara.

Si pjesë e kësaj nisme, ndihmësit e zotit Musk kanë kërkuar qasje në informacione konfidenciale në sistemet kompjuterike në agjenci të ndryshme qeveritare.

Kritikët thonë se përpjekjet ka të ngjarë të jenë në kundërshtim me ligjin, rrezikojnë ekspozimin e informacionit të klasifikuar dhe në praktikë po shpërbëjnë agjenci të tëra pa miratimin e Kongresit.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, sugjeroi në një intervistë të dielën se proceset e ndërtimit të anijeve të Pentagonit mund të ishin me interes të veçantë për Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë.

"Gjithçka atje duket se kushton shumë, merr shumë kohë dhe ka pak dërgesa tek ushtarët. Ne kemi nevojë që udhëheqësit e biznesit të hyjnë atje dhe të reformojnë procesin e blerjes në Pentagon", tha zoti Waltz në një intervistë për "Meet the Press" në rrjetin NBC.

"Ka shumë gjëra që duhen parë në procesin e ndërtimit të anijeve, është rrëmujë totale", shtoi zoti Waltz.

Udhëheqësit nga i gjithë spektri politik kanë kritikuar prej kohësh humbjet dhe jo-efikasitetin në Pentagon. Por demokratët dhe sindikatat e shërbimit civil thonë se Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, të drejtuar nga zoti Musk, i mungon ekspertiza për të ristrukturuar Pentagonin dhe përpjekjet e tyre rrezikojnë të ekspozojnë programe sekrete.

Kompanitë e zoti Musk kanë gjithashtu kontrata të mëdha me Pentagonin, gjë që ka ngritur shqetësime të rëndësishme për konfliktin e interesit./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat