Si fishekzjarre hedhur njëri pas tjetrit, kështu filloi të nënshkruajë dekretet presidenti i sapoardhur në detyrë, Donald Trumpnjëkohësisht ai kërkon edhe shpejtësi në zbatimin e tyre. Por pikërisht këtu Trump po has në rezistencë.
Një gjykatës federal në Boston, Massachusetts, së paku e ka bllokuar përpjekjen për të detyruar rreth dy milionë punonjës të qeverisë të japin dorëheqjen vullnetarisht. Punonjësit e ministrive dhe autoriteteve në fakt duhej të vendosnin deri në mesnatën e së premtes (07.2.) me orën lokale, në orën 06:00 , nëse do të largoheshin me efekt të menjëhershëm nga puna, e do të paguheshin më tej deri në shtator - apo nëse do donin të rrezikonin të pushoheshin nga puna në muajt e ardhshëm. Gjykata Federale të paktën tani e ka zgjatur afatin dhe ka caktuar një seancë tjetër për të hënën (10.02.).
Presion përmes E-maileve dhe përpjekje për frikësim
"Kjo është një fitore për të gjithë punonjësit federalë," i tha CNN, Rob Shriver, i cili drejtoi Zyrën e Mbikqyrjes së Agjencisë dhe Shpenzimeve Qeveritare nën paraardhësin e Trump, Joe Biden. Presioni për të lënë dorëheqjen është rritur ditët e fundit nga emailet shtesë dhe përpjekjet e tjera për frikësimin e punonjësve. Madje edhe punonjës të Policisë Federale FBI dhe agjencisë së inteligjencës së huaj, CIA morën gjithashtu emaile përkatës.
"Askush prej nesh nuk e ka përjetuar ndonjëherë diçka të tillë më parë," tha Otis Johnson i Shoqatës Amerikane të Punonjësve Publikë në radion NPR. "Ata vijnë dhe shkatërrojnë jetën e punonjësve federalë që kanë bërë punën e tyre për shumë vite," kritikoi Johnson.
Përpjekja për të hequr qafe qindra mijëra punonjës të qeverisë për një kohë të gjatë, për të zvogëluar madhësinë e aparatit shtetëror dhe ndoshta për të mbushur pozicionet e liruara me njerëz të rinj besnikë ndaj Trumpit, korrespondon saktësisht me skenarin që Instituti Heritage Foundation kishte hartuar në të ashtuquajturin Projekti 2025, sipas Shriver. The Heritage Foundation në SHBA ka krijuar një dosje me dhjetëra mijëra aplikantë, që duket se presin të marrin vendet e lira në aparatin qeveritar, thotë ajo.
Elon Musk zbaton planet e Trump
Pas pushimeve nga puna dhe shkurtimit të shpenzimeve fshihet Elon Musk, i cili drejton "Autoritetin për Eficencën e Qeverisë" të sapokrijuar, shkurt DOGE. Musk me sa duket po dërgon kryesisht ish-punonjës 18-25-vjeçarë të kompanive të tij si SpaceX dhe Tesla në ministri të ndryshme. Ata thuhet se kanë pasur qasje në të dhëna veçanërisht të ndjeshme në Ministrinë e Financave.
Kongresmeni republikan Buddy Carter i shtetit të Xhorxhias e mbron këtë. "Këta njerëz kanë vetëm akses të kufizuar në informacionin personal të punonjësve dhe përfituesve. Ata vetëm mund t'i shikojnë ato, jo t'i kopjojnë ose të bëjnë shkurtime të shpenzimeve," tha Carter në CNN. "Ajo që ata duhet të bëjnë është: të ekspozojnë aty ku nuk ka efikasitet dhe të na thonë. Dhe ne, deputetët që mbikqyrim autoritetin e DOGE, vendosim më pas se çfarë do të ndodhë më pas përmes procesit legjislativ." Agjencitë qeveritare janë të fryra dhe joefikase, dhe ato urgjentisht duhet të riorganizohen, thotë Carter.
Kurse pushtetin e ri të Musk, Carter e mbrojti me fjalët: "Ne kemi një sipërmarrës që njeh menaxhimin e biznesit dhe një president që njeh biznesin. Qeveria duhet të drejtohet si një biznes. Kjo është pikërisht ajo që shpalli Trump dhe për të cilën amerikanët e zgjodhën atë me një shumicë të madhe."
E megjithatë ende mbetet pyetja, nëse të gjitha metodat që përdorin Trump dhe Musk janë në përputhje me ligjin - dhe nëse gjykatat dhe Kongresi janë të gatshëm të ndjekin Trump dhe Musk në gjithçka ata bëjnë./DW