Fillon gjykimi i të dyshuarit për sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie

Amerika

Fillon gjykimi i të dyshuarit për sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 19:14
Hadi Matar, i akuzuar për sulmin me thikë ndaj shkrimtarit Salman Rushdie në vitin 2022, përcillet për në sallën e gjyqit në Mejvill, Nju Jork më 10 shkurt, 2025/AP

Në Nju Jork filloi të hënën gjykimit i të dyshuarit për sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie.

Zoti Rushdie pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj të dyshuarit Hadi Matar, veprim që do ta vendosë shkrimtarin 77 vjeçar përballë autorit të sulmit me thikë ndaj tij pas më shumë se dy vitesh.

Shkrimtari Rushdie, laureat i çmimit për letërsi “Booker”, po bëhej gati të fliste për rreziqet ndaj sigurisë së shkrimtarëve në gusht të vitit 2022 kur autori i pandehur i sulmit Matar u sul drejt tij në skenë në amfiteatrin e institutit ‘Chautauqua’. Ai e goditi me thikë zotin Rushdie dhjetëra herë në qafë, stomak, gjoks, dorë dhe në syrin e djathtë, duke e verbuar pjesërisht dhe duke i dëmtuar përgjithmonë njërën dorë.

Autori britaniko-amerikan, i lindur në Indi, dha detaje për sulmin dhe rikuperimin e tij të gjatë dhe të dhimbshëm në memorialin e titulluar “Thika: Reflektime pas një atentati”, botuar vitin e kaluar.

Rushdie ka jetuar me rrezikun ndaj sigurisë së tij që kur botoi romanin “Vargjet Satanike” në vitin 1989, i cili u dënua si blasfemi nga shumë myslimanë dhe për të cilin udhëheqësi suprem i Iranit Ruhollah Khomeini shpalli një ‘fatva’, një dekret të bazuar në ligjin islamik për vrasjen e tij. Rushdie u fsheh për vite të tëra, por gjatë njëzet e pesë viteve të fundit ai ka lëvizur i lirë pasi Irani njoftoi se nuk do ta zbatonte dekretin.

Gjykimi po mbahet ndërkohë që po bëhen 36 vjet që kur autoritetet e Iranit shpallën këtë dekret, më 14 shkurt të vitit 1989.

Ndaj 27 vjeçarit Matar nga qyteti Fairview në Nju Xhersi është ngritur padia për atentat dhe sulm. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm. Juria për këtë rast u përzgjodh javën e kaluar. I pandehuri Matar ishte në gjykatë gjatë tërë procesit tre ditor, duke mbajtur shënime dhe biseduar me avokatët e tij.

Me qetësi ai tha “Liri për Palestinën” ndërkohë që po dërgohej në gjykatë të hënën.

Ekipi i tij mbrojtës u përball me një fillim plot sfida ndërkohë që u njoftua se avokati i tij Nathaniel Barone ishte shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje dhe se nuk do të jetë i pranishëm në fillim të gjykimit. Gjykatësi David Foley refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë seancën ku do të bëheshin deklaratat hapëse, duke e udhëzuar bashkëpunëtorin e avokatit Barone ta lexojë atë në vendin e tij.

Gjykimi pritet të zgjasë një javë deri në 10 ditë. Anëtarëve të jurisë do t’u tregohen video-regjistrime dhe fotografi nga dita e sulmit, i cili u ndërpre kur dëshmitarët me nxitim e ndaluan të pandehurin Matar dhe e mbajtën deri kur erdhi policia. Moderatori i ngjarjes, Henry Reese, po ashtu u lëndua.

I pandehuri Matar u tha hetuesve se ai kishte udhëtuar me autobus në Chautauqua, rreth 120 kilometra në jug të Bufalos. Ai besohet të ketë fjetur në këtë hapësirë ku organizohen aktivitete artistike dhe akademike natën para sulmit.

Avokatët e tij nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se cila do të jetë mbrojtja e tij.

Në një deklaratë të posaçme, autoritetet federale pretendojnë se i pandehuri Matar u motivua nga përkrahja e një organizate terroriste për dekretin që bën thirrje për vdekjen e shkrimtarit Rushdie. Një proces tjetër gjyqësor për një aktpadi federale – me akuzat për terrorizëm që tejkalon kufijtë kombëtarë, dhënies së përkrahjes materiale një organizate terroriste dhe përpjekjet për t’i dhënë mbështetje materiale një organizate terroriste – pritet të caktohet në Gjyqin e Qarkut në Bufalo.

Shkrimtari Rushdie është njëri prej autorëve më të vlerësuar në botë që prej botimit të romanit të tij “Fëmijët e Mesnatës”, me të cilin fitoi Çmimin ‘Booker’. Veprat e tjera të tij përfshijnë romanet “Turpi” dhe “Qyteti i Fitores”, të cilin ai e shkroi pak para sulmit të vitit 2022, si dhe librin autobiografik botuar në vitin 2012 “Joseph Anton”, të cilin e shkroi gjatë kohës kur jetonte i fshehur.

Në aktakuzën federale, autoritetet pretendojnë se autori i sulmit Matar besonte që dekreti përkrahej nga Hezbollahu, grupi militant me bazë në Liban dhe se u mbështet nga drejtuesi i atëhershëm i grupit Hassan Nasrallah, në një fjalim të bërë në vitin 2006.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat