Shtëpia e Bardhë konfirmon sanksionet ndaj prokurorit të GJNP-së për krimet e luftës

Amerika

Shtëpia e Bardhë konfirmon sanksionet ndaj prokurorit të GJNP-së për krimet e luftës

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 21:04
Karim Khan

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan është personi i parë që goditet nga sanksione ekonomike dhe udhëtimi të autorizuara nga Presidenti amerikan Donald Trump, që kanë në qendër gjykatën e krimeve të luftës, për shkak të hetimeve ndaj qytetarëve të SHBA-së ose të aleatëve të tyre si Izraeli.

Emri i zotit Khan, një qytetar britanik, ishte përfshirë të hënën në një shtojcë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga zoti Trump javën e kaluar. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi të premten se zoti Khan po sanksionohej nga Uashingtoni.

Sanksionet, të cilat janë të ngjashme me veprimet që zoti Trump ndërmori gjatë mandatit të tij të parë, përfshijnë ngrirjen e pronave në Shtetet e Bashkuara dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave të përfshirë dhe familjeve të tyre.

GJNP-ja denoncoi të premten sanksionet, duke u zotuar se do të qëndrojë në krah të personelit të saj dhe do "të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në të gjithë botën". Zyrtarët e gjykatës u takuan në Hagë të premten për të diskutuar mbi pasojat e sanksioneve.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila u hap në vitin 2002, ka juridiksion ndërkombëtar për të ndjekur penalisht gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në vendet anëtare ose nëse një situatë referohet tek ajo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Sipas një marrëveshjeje midis Kombeve të Bashkuara dhe Uashingtonit, zoti Khan duhet të jetë në gjendje të udhëtojë rregullisht në Nju Jork për të informuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rastet që ky organizëm ka paraqitur para gjykatës në Hagë.

Këshilli i Sigurimit i ka referuar GJNP-së raste për gjendjen në Libi dhe rajonin e Darfurit në Sudan.

"Ne besojmë se çdo kufizim kundër individëve të caktuar do të zbatohet në përputhje me detyrimet e vendit pritës sipas marrëveshjes së OKB-së," tha të premten zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat