Ligjvënësit demokratë po kritikojnë ato që sipas tyre janë përpjekje “ekstreme” të administratës Trump për të ristrukturuar qeverinë amerikane dhe janë zotuar se do t’i kundërshtojnë këto ndryshime pavarësisht kapitalit të kufizuar politik në të dyja dhomat e Kongresit amerikan.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, republikanët mbrojnë këto përpjekje që sipas tyre janë të vonuara dhe kanë për qëllim të ndalojnë mashtrimet dhe abuzimet.
Për të dytën javë ligjvënësit demokratë po protestojnë kundër përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për ristrukturimin e qeverisë amerikane.
Pavarësisht kapitalit të kufizuar politik në të dyja dhomat e Kongresit, demokratët zotohen se do t’i kundërshtojnë ato që i quajnë përpjekje “esktreme” të administratës Trump për të mbyllur agjencitë qeveritare dhe pushimin e menjëhershëm nga puna të punonjësve federalë.
“Nëse doni të bëni shkurtime, bëjini përmes një debati në Kongres, jo në mënyrë të paligjshme, thjesht duke i zbatuar ato. Ne duam që të sigurohemi që të mos ketë keqpërdorime, por në fakt ata shkurtojnë programet thelbësore që do të dëmtojnë miliona familje amerikane”, thotë udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Republikanët kanë mbrojtur punën e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, duke thënë se përpjekjet për të ndaluar mashtrimet dhe shpërdorimet janë të vonuara.
“Qëndrimet e Partisë Demokrate janë arsyeja pse ata nuk kanë shumicën në Kongres dhe kandidatin e tyre në Shtëpinë e Bardhë. DOGE me të drejtë po hedh dritë mbi ato që kanë qenë të fshehura për vite dhe zemërimi që po shohim është i habitshëm por jo i papritur, duke marrë parasysh historinë e tyre të keqmenaxhimit të parave të taksapaguesve”, thotë Tom Emmer, ligjvënës republikan.
Demokratët po zotohen të luftojnë për mbrojtjen e agjencive qeveritare ose të kushtëzojnë me votë bisedimet e ardhshme për financimin e qeverisë.
"Ka shumë pak vullnet për të ndihmuar republikanët kur nuk kemi besim se Presidenti Trump do të shpenzojë burimet që kemi caktuar për arsimin, kujdesin shëndetësor, mbrojtjen,ndërsa Elon Musk dhe miqtë e tij të pazgjedhur merren me sistemin federal”, thotë ligjvënësi demokrat Pete Aguilar.
Demokratët kanë pasur njëfarë suksesi në bllokimin e përkohshëm të urdhrave ekzekutivë të zotit Trump me padi në gjykata, por një analist i tha Zërit të Amerikës se ndryshimet e tjera do të marrin kohë.
"Ende nuk kemi parë mobilizimin e publikut, por ai do të ishte mënyra më jo e drejtpërdrejtë për të ndikuar tek ata që kanë pushtetin në Uashington. Duhet kohë që këto mesazhe të rezonojnë me popullin amerikan, që ata të koordinohen me njëri tjetrin për të fituar një peshë të mjaftueshme për të arritur tek një numër i mjaftueshëm i anëtarëve të Kongresit”, thotë analisti Casey Burgat nga Universiteti George Washington.
Por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson tha të martën se Partia Demokrate ka shumë pak pushtet.
“Partia nuk ka një figurë të qartë udhëheqëse. Ata nuk kanë një vizion të qartë. Ata duken pa drejtim. Me shpresën për të gjetur veten, ata janë kapur pas këtij objekti të ri vezullues që quhet shteti i së drejtës. Ne dëshirojmë t’i mirëpresim ata në koncept. Do të ishte e admirueshme nëse ata nuk do t’i kishin kaluar katër vitet e fundit duke mbyllur sytë, ndërsa Bideni shkelte fjalë për fjalë sundimin e ligjit pa asnjë kundërshtim”, tha zoti Johnson.
Marrëveshja afatshurtër për financimin e qeverisë amerikane skadon më 14 mars./VOA