Gjykatësi i hap udhë planit të Presidentit Trump për reduktimin e punonjësve federalë përmes programit “të dorëheqjes”

Amerika

Gjykatësi i hap udhë planit të Presidentit Trump për reduktimin e punonjësve federalë përmes programit “të dorëheqjes”

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 06:09
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Një gjykatës federal i hapi udhë të mërkurën planeve të Presidentit Donald Trump për të tkurrur numrin e punonjësve federalë përmes një programi që u jep atyre mundësi të japin dorëheqje në këmbim të stimujve financiarë.

Gjykatësi George O’Toole Jr. në Boston vendosi se disa sindikata punonjësisht nuk kishin të drejtë ligjore për ta kundërshtuar planin.

Zoti Trump synon të përdorë stimuj financiarë për të inkurajuar punonjësit qeveritarë që të dorëhiqen.

Kjo është një fitore e rëndësishme ligjore për presidentin republikan, pas një sërë sfidash gjyqësore.

“Kjo tregon se strategjia e proceseve ligjore për qëllime politike nuk do të mbizotërojë mbi vullnetin e 77 milionë amerikanëve që mbështetën Presidentin Trump dhe përparësitë e tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.

Është e paqartë se sa punonjës federalë e kanë pranuar ofertën për t'u dorëhequr nga puna, në këmbim të pagës deri më 30 shtator, por Shtëpia e Bardhë tha të premten se nurmi i tyre ishte 65,000.

Programi është udhëhequr nga zoti Elon Musk që po shërben si këshilltari më i lartë i Presidentit Trump për shkurtimin e shpezimeve federale.

Sipas sindikatave, plani është i paligjshëm. Ato i kërkuan gjykatësit O’Tool ta pezullonte atë dhe të mos lejonte që Zyra për Menaxhimin e Personelit të vazhdonte t’u jepte mundësi punonjësve të qeverisë federale që të pranonin programin.

Një avokat i Departamentit të Drejtësisë e cilësoi planin si “një dalje emergjence” për ata punonjës federalë që mund të kenë organizuar jetën e tyre duke mbajtur parasysh se punonin në distancë dhe që tani janë urdhëruar që të kthehen në zyrat qeveritare./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat