SHBA, një aplikacion ofron informacion të menjëhershëm për zjarret

Amerika

SHBA, një aplikacion ofron informacion të menjëhershëm për zjarret

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Kur zjarret dogjën së fundmi një zonë të Los Anxhelosit, banorët shfrytëzuan një aplikacion që ofron informacion të menjëhershëm për zjarrin.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn, aplikacioni “Watch Duty” është një qendër virtuale operacioni për emergjenca që jep informacione të çastit, lagje pas lagje, ndërsa një zonë përjeton një krizë.

Momentalisht ai ofron shërbime në 22 shtete ndërsa planifikohet zgjerimi i shërbimeve edhe për fatkeqësi të tjera natyrore si stuhitë, tërmetet dhe cunamët.

Ndërsa zjarret dogjën Los Anxhelosin, banorët dhe ekipet e emergjencave kishin nevojë për informacion që mund ta shfrytëzonin menjëherë. Informacioni kishte të bënte me zonat e evakuimit, drejtimin e erës dhe tymit, si dhe zonat me ndërprerje të energjisë elektrike e të tjera.

Shumë prej njerëzve përdorën aplikacionin “Watch Duty”, i drejtuar nga një ekip qindra kilometra larg në Kaliforninë Veriore.

Aplikacioni u ofron banorëve informacione thelbësore rreth zjarreve të reja, ndryshimit të erës dhe shqetësime të tjera. Aplikacioni duhet kuptuar si një qendër virtuale operacioni për emergjenca që jep informacione të çastit, lagje pas lagje, ndërsa një zonë përjeton një krizë.

“Emergjencat e mia dhe të fqinjit tim, që jeton mbi 400 metra larg meje, janë të ndryshme. Kështu ndodh me komunitetet kudo dhe për këtë arsye teknologjia ndihmon”, thotë për Zërin e Amerikës Nike Russell nënpresident i operacionve te “Watch Duty”.

Informacionet me detaje lokale të aplikacionit ‘Watch Duty’ janë një nga arsyet pse ai pëlqehet nga 7 milionë përdoruesit e tij, shumica e të cilëve e kanë shkarkuar atë së fundmi.

Suksesi i tij ka lidhje me faktin se teknologjitë që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale u japin banorëve dhe ekipeve të emergjencave informacione në kohë reale që janë të nevojshme për të luftuar fatkeqësitë natyrore dhe për t’i mbijetuar ato.

Një nga partnerët e aplikacionit “Watch Duty” është “ALERTCalifornia” që drejtohet nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego. Rrjeti i saj me mbi 1 mijë kamera përgjatë gjithë shtetit, që shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale, shpesh zbulojnë tymin e zjarreve para se njerëzit të thërrasin ekipet e emergjencës.

“Së bashku jemi bërë sytë dhe veshët për informacione që më pas i shpërndajmë si njoftime për publikun në platformën tonë”, thotë zoti Russell.

Një tjetër partner i “Watch Duty” është firma në Merilend, “N5 Sensors”. Pajisjet e saj të vendosura në tokë zbulojnë tymin, të nxehtin dhe shenja të tjera për zjarre.

“Këto pajisje që funksionojnë si hunda e njeriut, zbulojnë tymin dhe përmbajtje të ndryshme helmuese në ajër”, thotë zoti Russell nga “Watch Duty”.

Aplikacioni ofron shërbime në 22 shtete, kryesisht në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara ndërsa hartohen planet për të zgjeruar shërbimet. Ndërsa vëmendja kryesisht është përqendruar në zbulimin e zjarreve, “Watch Duty” planifikon të hulumtojë edhe për fatkeqësi të tjera natyrore si stuhitë, termetet dhe cunamit.

“Ne duam të bëhemi aplikacion që i ofron të gjitha shërbimet, ku njerëzit kanë një burim në kohë krize që e bën të qartë dhe me saktësi atë që po ndodhë”, thotë zoti Russell./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat