Trump: Zelensky “do të përfshihet” në bisedimet për paqe

Amerika

Trump: Zelensky “do të përfshihet” në bisedimet për paqe

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 11:07
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “do të përfshihet” në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit të vendit të tij nga Rusia, ndërsa shtoi se “shumë shpejt” mund të takohet edhe me liderin rus, Vladimir Putin.

“Nuk ka kohë të caktuar, por mund të ndodhë shumë shpejt”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit Air Force One.

“Unë mendoj se ai dëshiron t’i japë fund [luftës]. Ata duan ta përfundojnë shpejt. Të dy. Edhe Zelensky”, tha Trump më 16 shkurt.

Duke iu drejtuar gazetarëve në të njëjtën ditë, në një ngjarje sportive në Floridë, Trump tha se Zelensky “do të përfshihet” në bisedimet për paqe.

Javën e kaluar kishte shqetësime se Uashingtoni do të mund të arrinte marrëveshje me Rusinë, duke anashkaluar Kievin dhe Evropën.

Bloomberg, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportoi më 16 shkurt se Trump dëshiron të sigurojë një armëpushim deri në Festën e Pashkëve, e cila bie më 20 prill të këtij viti.

Komentet vijnë në kohën kur udhëheqësit amerikanë janë duke u përgatitur për bisedime me Rusinë në Arabinë Saudite, nën udhëheqjen e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Negociatori i Lindjes së Mesme, Steve Witkoff, dhe këshilltari për siguri kombëtare, Mike Waltz, do të marrin pjesë gjithashtu, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Shpresojmë të bëjmë një përparim vërtet të mirë”, tha Witkoff për Fox News.

Trump u tha gazetarëve se ekipi i tij ka pasur bisedime “të gjata dhe të vështira” me zyrtarët rusë dhe se Witkoff, së voni, ka biseduar për rreth tri orë me Putinin.

Duke folur për CBS-in, Rubio, i cili mbërriti në Izrael më 15 shkurt, tha se ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse Putini është serioz për paqen në Ukrainë.

Zelensky mbërriti në Lindjen e Mesme më 16 shkurt, por Kievi tha se vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqi ka për qëllim shtimin e lidhjeve ekonomike dhe se nuk ka plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë apo rusë.

Këshilltari i lartë i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, tha se “nuk ka negociator që do ta përfaqësojë Ukrainën në Arabinë Saudite” në bisedimet e paqes.

“Sot, nuk ka asgjë në tryezën e bisedimeve që mund të diskutohet. Rusia nuk është gati për negociata”, i tha ai Televizionit të Ukrainës.

Më herët, Zelensky tha se nuk do të angazhohej në negociata përpara se të takohej me aleatët - përfshirë liderët evropianë - për të zhvilluar një strategji.

Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë theksuan se Ukraina dhe vendet e tjera evropiane do të përfshihen në çdo negociatë kuptimplotë, nëse të tillat do të zhvillohen./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat