Administrata e Presidentit Trump i drejtohet Gjykatës së Lartë për rastin e shkarkimit të një drejtuesi të një agjencie federale

Amerika

Administrata e Presidentit Trump i drejtohet Gjykatës së Lartë për rastin e shkarkimit të një drejtuesi të një agjencie federale

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 20:01
Drejtuesi i Zyres së Kryeinspektorit ligjor, Hampton Dellinger/Handout via Reuters

Administrata e Presidentit Donald Trump iu drejtua Gjykatës së Lartë për të ndërhyrë në përpjekjet e saj për të shkarkuar drejtuesin e një agjencie të pavarur amerikane që mbron sinjalizuesit e qeverisë, duke sjell para gjykatës më të lartë të vendit betejën e parë ligjore mbi veprimet e zotit Trump që kur filloi mandatin në muajin janar.

Departamenti i Drejtësisë kërkoi nga gjykata që të shfuqizojë menjëherë urdhrin e një gjykatësi federal të lëshuar me 12 shkurt, që bllokon përkohësisht shkarkimin e shefit të Zyrës së Kryeinsepktorit Ligjor, Hampton Dellinger, ndërkohë që vazhdon procesi për këtë çështje, sipas një shkrese të analizuar agjencia e lajmeve Reuters. Gjykata ende nuk e ka marr rastin në shqyrtim.

Veprimi i gjykatësit federal për të bllokuar shkarkimin është një “sulm i pashembullt ndaj pushteteve të ndara”, shprehet në shkresë zyrtarja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Harris.

“Kjo gjykatë nuk duhet t’i lejojë gjykatat më të ulëta që të bllokojnë fuqinë e ekzekutivit duke diktuar mbi vullnetin e presidentit se për sa kohë duhet të vazhdojë ta mbajë në detyrë një drejtues agjencie”, shkruhet në ankesën e depozituar nga zonja Harris.

I emëruar nga ish Presidenti Joe Biden, mandati pesë-vjeçar i zotit Dellinger përfundon në vitin 2029. Ai ka ngritur padi pasi mori një email më 7 shkurt që e njoftonte se Presidenti Trump e kishte shkarkuar atë “menjëherë” nga posti.

Në padinë e zotit Dellinger thuhet se Presidenti Trump i ka tejkaluar kompetencat e tij në përpjekjen për ta shkarkuar atë, duke patur parasysh që ligji federal lejon shkarkimin vetëm në bazë të “mos efikasitetit, neglizhencës në kryerjen e detyrave apo keqpërdorimit të postit”.

“Kompetencat e kryeinspektorit ligjor për të mbrojtur shërbimin civil dhe për të hetuar keqpërdorimet e dyshuara tani janë më të nevojshme se kurrë”, thuhet në aktpadinë e zotit Dellinger. “Gjatë javëve të fundit një numër i pashembullt i punonjësve federalë, që gëzojnë mbrojtjen e shërbimit civil, janë shkarkuar pa ndonjë arsye”.

Gjykatësja amerikane Amy Berman Jackson lëshoi një urdhër të përkohshëm ndalimi më 12 shkurt, duke e rikthyer zotin Dellinger në postin e tij deri në pritje të një vendimi tjetër.

Gjykatësja Jackson tha se zoti Dellinger ka gjasa të fitojë padinë për shkak të përpjekjes për ta pushuar atë nga puna pa identifikuar një arsye “bie ndesh qartazi” me mbrojtjen që i ofron ligji federal postit të prokurorit të posaçëm.

“Kjo gjuhë shpreh synimin e qartë të Kongresit për të siguruar pavarësinë e Kryeinspektorit ligjor dhe të mbrojë punën e tij nga ndryshimet politike”, shkroi gjykatësja Jackson në vendimin e saj.

Gjykata e Apelit në Uashington hodhi poshtë apelimin e administratës për vendimin përmes një votimi 2-1 të shtunën, duke thënë se apeli është i parakohshëm ngaqë urdhri i gjykatëses Jackson është i përkohshëm.

Zyra e Kryeinspektorit Ligjor u mundëson sinjalizuesve të bëjnë ankesa për keqpërdorime të dyshuara brenda agjencive federale dhe heton ankesat për hakmarrje ndaj punonjësve nga eprorët e tyre. Ajo gjithashtu mbikëqyrë zbatimin e “Ligjit Hatch” që kufizon angazhimin në politikë të punonjësve të qeverisë federale.

Përpjekja për të shkarkuar zotin Dellinger është e fundit në një sërë veprimesh të ndërmarra nga administrata e Presidentit Trump për të shkarkuar zyrtarët që hetojnë keqpërdorimet përbrenda qeverisë federale. Presidenti Trump, gjatë muajit të fundit, shkarkoi 17 inspektorë të përgjithshëm që shërbejnë si mbikëqyrës të pavarur brenda agjencive të tyre, pa dhënë ndonjë arsye.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat