Oklahoma, nxënësit emigrantë dhe statusi i tyre në shkollat publike

Amerika

Oklahoma, nxënësit emigrantë dhe statusi i tyre në shkollat publike

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Ligjvënësit në shtetin e Oklahomës po shqyrtojnë një plan për të filluar mbledhjen e të dhënave për nxënësit dhe prindërit e tyre emigrantë pa dokumente. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Daria Vershylenko nga Oklahoma, disa zyrtarë të arsimit kanë thënë se do të refuzojnë zbatimin e rregullit të propozuar.

Shefi i drejtorisë arsimore të Oklahomës, Ryan Walters, ka propozuar që kur nxënësit të regjistrohen për vitin e ardhshëm shkollor, të shënohet gjithashtu nëse ata dhe prindërit e tyre janë emigrantë të paligjshëm.

“Roli ynë përkarshi imigracionit të paligjshëm është i thjeshtë. Duhet të dimë sa nxënës të imigrantëve të paligjshëm janë në shkollat tona”.

Gjatë katër viteve të fundit, thotë zoti Walters, vlerësohet se Oklahoma shpenzoi më shumë se 470 milionë dollarë në shkollimin e fëmijëve të emigrantëve pa dokumente.

“Ka të bëjë me burimet. Për të plotësuar nevojat e këtyre nxënësve jemi detyruar të lëvizim punonjësit gjatë vitit shkollor. Janë shifra për të cilat nuk kishim të dhëna”, thotë shefi i drejtorisë arsimore të Oklahomës, Ryan Walters.

Ligjvënësit e këtij shteti po shqyrtojnë propozimin. Ligji do të kërkonte regjistrimin e statusit, por nuk do të parandalonte imigrantët pa dokumente që të arsimohen në shkolla publike.

Samira Izaguirre u zhvendos në Shtetet e Bashkuara nga Meksika rreth 20 vjet më parë. Me dokumente të rregullta, nëna e gjashtë fëmijëve druhet se rregulli mund të nënkuptojë që më pak fëmijë pa dokumente të shkojnë në shkollë.

“Fëmijët duhet të lihen jashtë politikës”.

Në Tulsa, administratorët e shkollave publike u thanë prindërve se nuk do të mbledhin të dhëna që lidhen me imigracionin.

Një deklaratë nga zëdhënësi i qarkut, Christopher Payne, citoi vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 1982 se të gjithë fëmijët kanë të drejtën e arsimit publik, pavarësisht nga statusi i tyre i imigracionit.

Duke protestuar kundër rregullit të propozuar, mësuesi oklahomas Fernando Baquera thotë se kjo po nxit frikë.

“Nuk është e drejtë të shkaktosh frikë tek nxënësit dhe pastaj t’i largosh nga shkollimi falas që mbrohet me Kushtetutë, pavarësisht se kush je dhe nga vjen”.

Banori Todd Huston e mbështet rregullin e propozuar.

“Propozimi është shumë i drejtë. I ndihmon shkollat t’i ndajnë burimet”.

Anëtarja e bordit arsimor në Tusla, E’lena Ashley, thotë se propozimi i shefit të drejtorisë arsimore të Oklahomës, Ryan Walters, pasqyron shqetësimet e disa prindëve.

“Në disa raste ai thotë gjëra të vështira që të tjerët druhen t’i thonë. Ata duan të dinë se fëmijët e tyre janë të sigurte, të marrin arsimin e duhur dhe të ndjehen rehat nëpër klasa”.

Zoti Walters thotë se ligji kërkon që ai t’i ndajë të dhënat e imigracionit me autoritetet përkatëse.

“Nëse një zyrtar i zbatimit të ligjit kërkon të dhëna, jemi të detyruar ligjërisht që ta respektojmë kërkesën”.

Pas votimit të bordit arsimor të shtetit për të dërguar propozimin në fjalë para ligjvënësve të Oklahomës, guvernatori Kevin Stitt largoi javën e kaluar tre anëtarë të bordit, duke theksuar rezultatet e dobëta të nxënësve në provime dhe atë që e quajti “dramë të panevojshme politike”./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat