Presidenti Trump nënshkruan urdhëzim për të studiuar se si mund të bëhet i përballueshëm fekondimi artificial

Amerika

Presidenti Trump nënshkruan urdhëzim për të studiuar se si mund të bëhet i përballueshëm fekondimi artificial

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 19:23
Ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump firmosi të martën një urdhër ekzekutiv për të studiuar se si mund të zgjerohet qasja ndaj fekondimit artificial dhe se si mund të bëhet më e përballueshme kjo metodë e riprodhimit.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri përcakton dhënien e rekomandimeve mbi politika “për mbrojtjen e qasjes ndaj fertilizimit ‘in vitro’ dhe tkurrjen e konsiderueshme të shpenzimeve të pacientëve dhe kostove të sistemit shëndetësor për një trajtim të tillë”.

Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti mbështeti idenë që procedura ‘in vitro’ të ishte e përballueshme nga të gjithë, pasi të emëruarit e tij në Gjykatën e Lartë, ndihmuan në shfuqizimin e vendimit të njohur si ‘Roe v Wade’, që e njihte abortin si të drejtë mbarëkombëtare, çka çoi në një valë kufizimesh në shtetet e drejtuara nga republikanët, përfshirë disa që kanë kërcënuar mos lejimin e qasjes ndaj fekondimit artificial, duke u përpjekur të përcaktojnë se “jeta” nis që në ngjizje.

Zoti Trump, i cili ishte në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, firmosi gjithashtu një urdhër tjetër ekzekutiv dhe një memorandum presidencial.

Urdhri i dytë ekzekutiv përcakton funksionet mbikëqyrëse të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, ndërsa memorandumi presidencial përcaktonte rritjen e transparencës nga ana e qeverisë, sipas sekretarit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të cilit zoti Trump i kërkoi të jepte hollësi mbi urdhërat.

Urdhëri kërkon "mekanizma radikalë për transparencë" nga qeveria, e cila duhet të japë hollësi mbi "shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet" që janë evidentuar, ndërsa Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), nën drejtimin e Elon Muskut, synon të shkurtojë shpenzimet qeveritare.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë shpesh nuk i ka përmbushur premtimet e administratës për transparencë. Zoti Musk ka pranuar vetëm një herë pyetje nga gazetarët, që kur u bë këshilltari më i fuqishëm i Presidentit Trump dhe ka pohuar se identifikimi i njerëzve që punojnë për të, është i paligjshëm.

Ndonjëherë anëtarët e personelit të DOGE kanë kërkuar qasje tek bazat e të dhënave të ndjeshme të qeverisë, duke ofruar pak shpjegime.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri i Presidentit Trump për fekondimin artificial do të ketë përparësi të shqyrtojë nëse ndonjë prej politikave aktuale "rrit kostot e trajtimit in vitro".

Vitin e kaluar, Presidenti Trump deklaroi mbështetje publike për fekondimin artificial pasi Gjykata e Lartë e Alabamës vendosi që, sipas ligjit të këtij shteti, embrionet e ngrira mund të konsiderohen fëmijë. Vendimi, të cilin disa republikanë dhe konservatorë e mirëpritën, shkaktoi reagime të menjëhershme.

Trump: Familjet janë mirënjohëse

Gjatë fushatës, çështja e fekondimit artificial u bë shpejt një pikë diskutimi për Presidentin Trump, i cili tha se e mbështeste fuqimisht qasjen ndaj procedurës in vitro.

Fekondimi artificial ofron një zgjidhje të mundshme për gra që mund të kenë probleme për të mbetur shtatzënë. Procedura përfshin marrjen e vezëve të gruas dhe bashkimin e tyre në laborator me spermën e burrit për të krijuar një embrion të fekonduar, i cili më pas transferohet në mitër, në përpjekje për të krijuar një shtatzëni.

"Mendoj se gratë dhe familjet, burrat, e vlerësojnë shumë urdhërin", tha Presidenti Trump në një koment të shkurtër mbi urdhrin, përpara se t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve mbi një sërë çështjesh të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat